Kthimi i Fisnik Asllanit në fushën e lojës te Hoffenheimi pas katër muajsh, i solli fat skuadrës që fitoi pas dy disfatave rresht në nisje të edicionit të ri në Bundesligë.
Hoffenheimi të shtunën fitoi 2:1 ndaj Stuttgartit, ndërsa sulmuesi i Kosovës u paraqit prej minutës së 83-të.
Paraqitjen e fundit me Hoffenheimin, Asllani e kishte më 16 maj të këtij viti në disfatën 4:0 nga Borussia Monchengladbachu.
Më pas i luajti dy ndeshjet miqësore me Kosovën ndaj Çekisë dhe Andorrës.
Gjatë afatit kalimtar veror, për Asllanin u fol se do të ndryshonte ambient. Madje ishte fare pranë kalimit te Leipzigu, por transferimi dështoi në momentet e fundit. Leipzigu njoftoi për “probleme fizike” të Asllanit dhe lëvizja nuk u realizua.
Ai mungoi në katër ndeshjet parasezonale, ndërsa nuk u paraqit as në disfatat ndaj Kolnit dhe Dortmundit.
Edhe
Asllani shënon pas një kohe të gjatë
Por të shtunën u kthye në fushë, dhe iu bashkua Albian Hajdarit dhe Leon Avdullahut, që e kompletuan ndeshjen ndaj Stuttgartit.
Adam Hlozek i shënoi dy golat e fitores për Hoffenheimin, ndërsa të vetmin gol për Sttutgartin e realizoi Maximilian Mittelstadt.