Sport

Dramë në Lezhë, Trashi bie pa ndjenja në fushë! Çfarë i ndodhi lojtarit?

Panik dhe momente ankthi janë regjistruar në minutën e 44-t të takimit Besëlidhja – Korabi, zhvilluar në Lezhë, kur futbollisti Lorenc Trashi ka rënë pa ndjenja në fushën e lojës.

Ish-futbollisti i kombëtares nuk ka pasur asnjë përplasje apo kontakt fizik me lojtarët e tjerë, por është shtrirë vetë në tapetin e gjelbër, duke shkaktuar frikë të madhe te të pranishmit.

Stafet mjekësore kanë ndërhyrë në një kohë rekord, duke i dhënë ndihmën e parë dhe duke bërë të mundur sjelljen e tij në vete që në fushë. Më pas, autoambulanca ka hyrë me urgjencë duke e transportuar menjëherë lojtarin drejt spitalit të Lezhës.

Në një komunikim të drejtpërdrejtë, me trajnerin e Besëlidhjes, Elvis Plori, gazetari Endi Tufa ka mësuar ekskluzivisht për Top Channel se gjendja e Trashit fatmirësisht është e mirë. Sipas trajnerit Plori, shkaku i këtij bllokimi të papritur në fushë ka qenë një dhimbje e fortë dhe bllokim në stomak. Lojtari vijon të mbetet nën mbikëqyrjen e mjekëve, por rreziku më i madh ka kaluar.

LEXO EDHE: Dinamo nuk ka mëshirë në derbi, skuadra e Ilir Dajës i jep leksion Partizanit!

Java e dytë e Kategorisë së Parë regjistroi 3 fitore në transfertë dhe bëhet fjalë për Korabin, Besën dhe Bylis.

Skuadra dibrane arriti të mposhë Besëlidhjen në Lezhë me rezultatin 2-1 duke regjistruar suksesin e dytë radhazi në këtë sezon të ri. Taulant Marku dhe Hernan Reçi shënuan për Korabin, ndërsa për Besëlidhjen golin e vetëm e shënoi Akansase.

Besa i dha leksion futbolli Sopotit në Librazhd duke e mundur me rezultatin e thellë 4-0 me gola të shënuar nga Redon Danaj, Fatmir Prengaj, Manfredas Ruzgis dhe Ermir Spahiu me penallti. Ndërsa Bylis fitoi në fushën e Orikut me rezultatin 2-1.

Iliria dhe Pogradeci ishin skuadrat e tjera që morën maksimumin në ndeshjet e tyre që i luajtën në shtëpi. Iliria iu imponua Kukësit duke e mposhtur me rezultatin 3-1 me skuadrën verilindore që e mbylli ndeshjen në inferioritet numerik. Ndërsa Pogradeci arriti të gjunjëzojë Kastriotin duke e mundur me rezultatin 2-1