Ka përfunduar në sheshin “Skënderbej” në Prishtinë “Marshi për Liri”, ku mijëra qytetarë u mblodhën në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
Flamujt kombëtarë dhe emblemat e UÇK-së mbushën sheshin, ndërsa nga tubimi u përcollën thirrje për drejtësi dhe një proces të paanshëm.
Marshi u organizua nga platforma qytetare “Liria ka Emër”, në prag të zhvillimeve të pritshme më 16 shtator në Hagë. Në tubim morën pjesë qytetarë të ardhur nga zona të ndryshme të Kosovës, veteranë, familjarë të dëshmorëve dhe përfaqësues politikë.
Kreu i PDK-së, Bedri Hamza, në fjalën e tij iu drejtua atyre që do të marrin vendimin, duke u kërkuar të “mendojnë për pasojat para se të vendosin”.
Ai deklaroi se Kosova pret drejtësi, ndërsa shtoi se “një vendim i padrejtë është një dënim për Kosovën”.
Edhe kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, kërkoi një proces të drejtë dhe të paanshëm.
“Ne kërkojmë drejtësi, jo që historia e kombit tonë të rishkruhet”, ishte mesazhi i tij nga sheshi.
Mesazhe të forta u përcollën edhe nga familjarët e ish-luftëtarëve dhe dëshmorëve.
Buna Mustafa, vajza e Sali Mustafa-Calit, deklaroi se “lufta e UÇK-së ishte e drejtë, e domosdoshme dhe e pashmangshme”, ndërsa Liriona Sulejmani, vajza e dëshmorit Bajram Sulejmani, tha se “UÇK nuk është slogan, politikë, është amanet”./Versus.al


