Vrasja e 35-vjeçarit shqiptar Ferdinant Hoti duket se është kryer në zonën e Venecias dhe jo në San Giorgio delle Pertiche, aty ku u gjet trupi i tij. Në këtë përfundim paraprak kanë arritur karabinierët italianë, duke kryqëzuar pamjet e kamerave të sigurisë me të dhënat e antenave telefonike.
Sipas gazetës italiane që raporton ngjarjen, hetuesit e Padovës pritet t’ia përcjellin në ditët në vijim dosjen Prokurorisë së Venecias, e cila ka kompetencë territoriale për vendin ku dyshohet se ka ndodhur ekzekutimi.
Ndërkohë, autopsia e trupit të 35-vjeçarit pritet të japë të dhëna të rëndësishme për kronologjinë dhe mënyrën e vrasjes. Trupi i Hotit u gjet në një qese të zezë, në bagazhin e një automjeti Fiat Bravo pa targa, i cili ishte fundosur në kanalin Tergola, pranë portave të ujit të Torre di Burri.
Nga ekzaminimi i parë i jashtëm, hetuesit dyshojnë se 35-vjeçari mund të ketë qenë i vdekur të paktën 48 orë përpara se të zbulohej trupi. Kjo do të thotë se autorët do të kishin pasur të paktën dy ditë kohë për t’u larguar nga zona.
Një nga pistat e hetimit është edhe mundësia që autorët të jenë larguar jashtë Italisë, me Shqipërinë si një prej destinacioneve të dyshuara. Sipas hetuesve, ata mund të kenë marrë ndihmë nga persona të së njëjtës kombësi me viktimën për t’u larguar nga vendi.
Nga rindërtimi paraprak rezulton se Hoti mund të jetë ekzekutuar nga një person i vetëm, me një të shtënë pistolete në kokë nga distancë shumë e afërt. Megjithatë, për transportimin e trupit dhe fundosjen e automjetit në kanalin Tergola dyshohet se kanë marrë pjesë të paktën dy persona, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që të kenë qenë tre.
Autorët dyshohet se kanë mbërritur në San Giorgio delle Pertiche me Fiat Bravo-n ku ndodhej trupi i pajetë, ndërsa janë larguar më pas me një automjet tjetër.
Hetuesit arritën të identifikonin pronarin e Fiat Bravo-s pak pas gjetjes së makinës në ujë. Ai u mor në pyetje për disa orë, por deklaroi se nuk e njihte viktimën.
Sipas rindërtimit të deritanishëm, Hoti banonte dhe punonte në Mirano. Karabinierët po hetojnë në disa pista për motivin e vrasjes, ndërsa një prej hipotezave kryesore lidhet me përplasjet brenda botës së krimit të organizuar shqiptar. Droga dhe paratë konsiderohen ndër motivet më të besueshme të ekzekutimit.
Një prej provave më të rëndësishme që kërkojnë hetuesit është arma e krimit. Ende nuk është përcaktuar nëse bëhet fjalë për një pistoletë gjysmëautomatike apo një revolver. Arma mund të jetë hedhur në kanalin Tergola, por nuk përjashtohet mundësia që autori ta ketë marrë me vete dhe të jetë përpjekur ta fshehë më vonë.
Analiza e plumbit dhe e plagës së hyrjes do të ndihmojë në përcaktimin e kalibrit të armës. Hetuesit duan të verifikojnë gjithashtu nëse e njëjta armë mund të jetë përdorur edhe në ngjarje të tjera kriminale.
Autopsia pritet të japë edhe përgjigje të tjera mbi minutat e fundit të jetës së Hotit. Për shkak se trupi kishte qëndruar për një kohë të gjatë në ujë, ekzaminimi nuk mund të kryhej menjëherë dhe ishte e nevojshme të pritej disa ditë.
Përveç përcaktimit të shkakut dhe kohës së vdekjes, ekspertiza mjeko-ligjore do të synojë të zbulojë nëse 35-vjeçari është dhunuar apo torturuar përpara ekzekutimit, si dhe nëse kishte konsumuar lëndë narkotike. Për këtë të fundit do të kryhen analizat toksikologjike.


