Të paktën 44 persona kanë mbetur të plagosur, një prej tyre në gjendje të rëndë, pasi një tren rajonal doli nga shinat në veriperëndim të Francës.
Treni, i cili transportonte rreth 180 pasagjerë, po udhëtonte në linjën mes Rouen dhe Kaen, kur një pjesë e tij doli nga shinat pas përplasjes me një objekt ende të paidentifikuar.
Sipas televizionit francez BFMTV, që citon prefektin lokal, përplasja shkaktoi daljen nga shinat të disa vagonëve. Një prej tyre u përmbys, ndërsa katër të tjerë dolën nga shinat.
Një grua ka pësuar plagë të rënda, ndërsa 43 pasagjerë të tjerë kanë marrë ndihmë mjekësore për dëmtime të shkallëve të ndryshme.
Ministri francez i Transportit, Philippe Tabarot, kishte bërë të ditur fillimisht se nga aksidenti ishin plagosur rreth 20 persona, por bilanci u rrit më vonë në 44 të lënduar.
Ndërkohë, autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e aksidentit, ndërsa ende nuk është bërë e ditur se çfarë ishte objekti me të cilin u përplas treni.


