Çmimet e karburanteve në tregun shqiptar vijojnë rritjen, duke iu afruar niveleve rekord të regjistruara gjatë krizës së vitit 2022, pas nisjes së luftës në Ukrainë. Nafta ka arritur deri në 229 lekë për litër, ndërsa benzina po tregtohet deri në 219 lekë për litër.
Sipas një vëzhgimi të “Monitor”, në pikat e shitjes me pakicë nafta sot po tregtohet me 226 deri në 229 lekë për litër, nga 219 lekë që ishte çmimi i mëparshëm. Rritja varion nga 7 deri në 10 lekë për litër.
Shtrenjtimi është reflektuar edhe te benzina. Nga 205 lekë për litër që ishte çmimi i mëparshëm, ajo po tregtohet tashmë me 216 deri në 219 lekë për litër, me një rritje prej 11 deri në 14 lekësh.
Rritja e çmimeve në tregun vendas vjen në një kohë kur tregjet ndërkombëtare të naftës janë përballur me luhatje të forta për shkak të zhvillimeve gjeopolitike. Pas përshkallëzimit të konfliktit në Lindjen e Mesme, çmimi i naftës në Shqipëri ishte ngjitur në nivelet 219-224 lekë për litër, nga rreth 175 lekë para nisjes së konfliktit.
Kjo konsiderohet si rritja më e fortë e çmimeve të karburanteve në vend që prej vitit 2022. Në mars të atij viti, nafta arriti për një ditë rekordin prej 265 lekësh për litër, ndërsa për disa ditë me radhë u tregtua në nivelet 230-235 lekë për litër.
Shtrenjtimi i fundit në tregun vendas pason rritjen e menjëhershme të çmimeve në tregjet ndërkombëtare më 10 shtator. Nafta Brent arriti në rreth 110 dollarë për fuçi, nga 100 dollarë që ishte më herët, ndërsa sot po tregtohet në bursa rreth 104 dollarë për fuçi.
Rritje të ndjeshme ka pasur edhe çmimi Platts, i cili përdoret si referencë për zhdoganimin e importeve të karburanteve. Çmimi final i Platts arriti në rreth 1,619 dollarë për ton, me një rritje prej rreth 165 dollarësh për ton krahasuar me nivelin e mëparshëm.
Sipas të dhënave të raportuara, më 10 shtator 2026 çmimi i naftës Platts HCIF ishte 1,571.5 dollarë për ton, ndërsa pas shtimit të një premiumi prej 30 dollarësh për ton dhe përllogaritjeve përkatëse, çmimi final shkonte në rreth 1,619.13 dollarë për ton.
Operatorët e tregut e lidhin këtë situatë me zhvillimet e konfliktit në Lindjen e Mesme, të cilat kanë ndikuar në trafikun detar dhe në zinxhirët globalë të furnizimit me naftë. Sipas tyre, vështirësitë e transportit përmes Detit të Kuq dhe zhvillimet që prekin Ngushticën e Hormuzit, përmes së cilës kalon një pjesë e konsiderueshme e furnizimit botëror me naftë, kanë rritur pasigurinë në tregje.
Operatorët paralajmërojnë se situata e furnizimit mund të përkeqësohet më tej nëse vijojnë pengesat në rrugët kryesore të transportit dhe eksportuesit kufizojnë më shumë furnizimet në tregjet ndërkombëtare. Ata e konsiderojnë kombinimin e krizës në Lindjen e Mesme me luftën në Ukrainë si një nga situatat më të vështira të viteve të fundit për tregun global të energjisë.
Sipas operatorëve, rreziku nuk lidhet vetëm me çmimet rekord, por edhe me mundësinë e mungesave të produktit në treg, nëse furnizimi ndërkombëtar vijon të pengohet dhe rezervat komerciale e strategjike vazhdojnë të bien.
Përballë kësaj situate, operatorët kërkojnë që qeveria shqiptare të marrë në konsideratë masa konkrete për lehtësimin e barrës mbi konsumatorët. Ata argumentojnë se rritja e çmimeve nuk mund të adresohet vetëm përmes mekanizmave të monitorimit të tregut apo publikimit të çmimeve.
Sipas tyre, Shqipëria vijon të ketë një barrë të lartë fiskale mbi karburantet krahasuar me vendet e rajonit dhe kërkohet që autoritetet të reflektojnë mbi mundësinë e masave lehtësuese, në një kohë kur shtrenjtimi ndërkombëtar po përkthehet drejtpërdrejt në çmimin që paguajnë qytetarët në pikat e karburanteve.


