Këtë të premte, në ditën “Prezenca Besnike” të PS-së, Edi Rama dha provën e radhës së besës me Sali Berishën për qoka reciproke: njëri duke i dhënë leje ndërtimi e toka publike, ndërsa tjetri duke firmosur marrëveshjet në favor të pushtetit.
Fakti është ky: Në mbledhjen e datës 11 shtator 2026, kryeministri Edi Rama ka firmosur vendimin e veçantë, me objekt:
Vënia në dispozicion e pasurive të paluajtshme shtetërore nr. 178/44, nr. 152/43 dhe nr. 182, në Zonën Kadastrale 1522 të Bashkisë Durrës, me sipërfaqe 90 mijë e 30 m², dhënë shoqërisë “Omnix Albania”, për investimin strategjik në fushën e turizmit.

Këto 3 parcela toke shtetërore me sipërfaqe totale 9 hektarë ndodhen në zonën bregdetare të Draçit në Gjirin e Lalëzit, ku Komiteti i Investimeve Strategjike kanë dhënë lejen për ndërtimin e një resorti nga shoqëria “Omnix Albania”.
Ortake në këtë grup ndërtimi dhe investitore e pronare në resortin që Edi Rama i ka dhuruar tokë shteti në bregdetin e Lalëzit është dhe kompania “Klar” sh.p.k., një prej klienteve të preferuara gjatë pushtetit të PD-së e prej 13 vitesh pushtet të PS-së.
Pronar i kësaj kompanie në dokumenta figuron Shkëlqim Beshiri, i njohur si “prestanome” i Shkëlzen Berishës për pastrimin e parave të zeza të tij në kulla, pallate e resorte, me lejet e ndërtimit dhe tokat shtetërore që Edi Rama vazhdon t’i japë familjes “Berisha”.
Në listën e qokave për ndërtuesin Shkëlqim Beshiri, që është maska dhe “lavatriçja” e miliardave të Shkëlzen Berishës, është shtuar leje e ndërtimit dhe 9 hektarë tokë shteti në bregdetin e Lalëzit, dhënë për resort me kontratë “1 Euro”, shoqëruar me 81 mijë m² plazh publik falas për 30 vjet.
Fondi i financimit të resortit është 216 milionë euro, për të cilat ndërtuesi Shkëlqim Beshiri i Shkëlzen Berishës duhet të deklarojë burimin e pjesës së investimit që i përket atij si ortak bashkë-investues; sepse nuk ka deklaruar as milionat për ndërtimin e kullës te lulishtja e Pallatit të Kongreseve, dhënë leja nga Edi Rama.
Për resortin në bregdetin e Lalëzit, kompania “Omnix Albania” ka marrë statusin “Investitor Strategjik” me Vendim Nr. 22/9, qysh në datën 18 korrik 2022.

Me këtë vendim, projekti i resortit përfshin një sipërfaqe totale 23.5 ha tokë; nga e cila 14.5 ha është deklaruar pronë private nga Beshiri etj.; por ka dyshime për dokumente kadastrale false, ndërsa 9 ha tokë ia dha Edi Rama me kontratë “1 Euro” plus 8.1 hektarë plazh falas.
Por edhe brenda këtij favori për familjen “Berisha”, është ky skandal i qeverisë: Me ligj, pasuritë shtetërore që u dhurohen privatëve me “Kontrata 1 Euro” duhet të jepen vetëm nga Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit.
Ndërsa për tokën 9 ha dhe 8.1 ha plazh, që iu dhurua “prestanomes” së Shkëlzen Berishës për resortin në Lalëz, propozimin e bëri ministri i Turizmit, Kulturës e Sporteve, Blendi Gonxhe; ky tipi që aktron sikur gjoja e ka “armik” Sali Berishën./Pamfleti