BOTA /

Nga plazh në ferr: Si një parajsë në Ceuta u shndërrua në një lagje të madhe emigrantësh

Banorët dhe organizatat lokale flasin për një rritje të krimit dhe një barrë dramatike mbi infrastrukturën - Dëshmitë e emigrantëve, akuzat për sulme seksuale dhe konflikti politik në Madrid

Shkruar nga Versus

Nga plazh në ferr: Si një parajsë në Ceuta u shndërrua

Një prej plazheve dikur të frekuentuara të Ceutës, enklavës spanjolle në brigjet veriore të Afrikës, është shndërruar në një kamp të improvizuar, pas mbërritjes masive të emigrantëve gjatë javëve të fundit. Sipas raportimit të Proto Thema, bazuar edhe në një reportazh në terren të britanikes The Sun, përgjatë Playa del Trampolín janë ngritur tenda me plastikë dhe materiale të improvizuara, ndërsa në zonë shihen dyshekë, valixhe dhe mbeturina.

Sipas artikullit, rreth 80 mijë emigrantë mbërritën në Ceuta brenda vetëm dy ditësh, rreth pesë javë më parë. Pavarësisht përpjekjeve për largimin e të ardhurve, mijëra prej tyre vazhdojnë të qëndrojnë në enklavë. Sindikata policore CEP e vlerëson numrin aktual në rreth 10 mijë persona, përfshirë 1,400–1,600 të mitur, ndërsa përfaqësues të biznesit lokal flasin për një shifër që mund të arrijë në 15 mijë. Vetëm rreth 20% raportohet se janë strehuar në struktura të organizuara.

Pamjet nga zona tregojnë kushtet e vështira në të cilat jetojnë shumë prej emigrantëve. Disa flenë në plazh ose në rrugët pranë portit, të tjerë lahen në det, ndërsa mungesa e infrastrukturës së mjaftueshme ka krijuar probleme serioze higjieno-sanitare. Për të përballuar situatën janë dërguar edhe 500 efektivë shtesë të Guardia Civil, të cilët u janë bashkuar rreth 1,100 policëve dhe ushtarakëve që ndodheshin tashmë në Ceuta.

Kriza ka ngritur gjithashtu shqetësime për sigurinë. Sipas të dhënave të cituara në artikull, gjatë gushtit janë regjistruar 23 sulme seksuale, nëntë prej të cilave me viktima fëmijë. Mes të dyshuarve për këto raste përmenden si emigrantë, ashtu edhe shtetas europianë. Prokuroria lokale ka paralajmëruar gjithashtu për cenueshmërinë e personave që flenë në rrugë dhe në strehime të improvizuara.

Situata ka shkaktuar reagime të forta mes banorëve dhe është kthyer në një çështje të rëndësishme politike në Spanjë. Qeveria e Pedro Sánchez është vënë nën presion për mënyrën e menaxhimit të krizës, ndërsa opozita e akuzon atë se ka lënë Ceutën të përballet pothuajse e vetme me fluksin. Sánchez, nga ana tjetër, ka deklaruar se nuk ka prova të forta që dëshmojnë se Maroku ka organizuar qëllimisht kalimin masiv të emigrantëve.

Pesë javë pas fluksit masiv, Ceuta vazhdon të përballet me mijëra persona pa strehim të qëndrueshëm, struktura të mbingarkuara dhe prani të shtuar policore, ndërsa shumë prej emigrantëve thonë se synimi i tyre është të arrijnë në Spanjën kontinentale dhe më pas në vende të tjera të Europës.

Tags:

spanje

Poll