
Kryeministri Edi Rama ka kërkuar më shumë përgjegjshmëri nga drejtuesit e administratës publike për trajtimin e kërkesave të qytetarëve dhe respektimin e afateve ligjore.
Gjatë një takimi me strukturat e bashkëqeverisjes, zëvendësministrat dhe drejtuesit e drejtorive, Rama u kërkoi zëvendësministrave që përgjigjet ndaj qytetarëve të jenë prioriteti i parë i punës së tyre të përditshme.
Ai tha se çdo ditë duhet të nisë me verifikimin e përgjigjeve të dhëna, kërkesave që presin përgjigje dhe rasteve kur afatet janë tejkaluar.
Rama paralajmëroi se vonesat nuk do të kalojnë pa përgjegjësi dhe se për çdo shkelje të afatit duhet të përcaktohet personi përgjegjës dhe kostoja që ai do të mbajë. Sipas tij, kjo do të formalizohet përmes të ashtuquajturit “Ligji i Pasqyrës”.
“Kur ti i vonon dhe del nga afati, ti duhet të marrësh koston tënde dhe këtë gjë ne do ta bëjmë me ligjin e Pasqyrës, në të cilin ne do përcaktojmë se çdo shkelje afati duhet të ketë përgjegjësin dhe përgjegjësi duhet të marrë koston”, u shpreh Rama.
Kryeministri kërkoi gjithashtu që çështjet që kanë pengesa ligjore të ndahen në kategori dhe qytetarëve t’u jepet një përgjigje e qartë.
“Edhe po, dhe jo, as mish as peshk, as këtej, as andej quhet torturë, nuk quhet përgjigje”, tha Rama.
Ai u kërkoi zëvendësministrave që të ndjekin çdo ditë kërkesat e qytetarëve dhe veçanërisht ato që nuk janë trajtuar brenda afatit.
“Duhet ta nisin ditën me sa përgjigje u dhanë dje, sa përgjigje duhen dhënë sot dhe sa përgjigje nuk u dhanë në kohë dhe duhet të merren pastaj me ato përgjigje që nuk u dhanë në kohë. Pse nuk u dhanë?”, tha Rama./Versus.al

