Bashkimi Europian ka reaguar në prag të shpalljes së aktgjykimit të shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Në një reagim për “Gazeta Express”, BE-ja u ka bërë thirrje të gjitha shteteve dhe palëve të përfshira në çështje që të tregohen të përmbajtura dhe të respektojnë procedurat gjyqësore, si dhe vendimin që do të shpallet më 16 shtator.
“Në prag të shpalljes së aktgjykimit të shkallës së parë në çështjen e Prokurorit të Specializuar kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, u bëjmë thirrje të gjitha shteteve dhe palëve që të respektojnë procedurat gjyqësore të Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe vendimin”, thuhet në reagimin nga Brukseli.
BE-ja ka rikonfirmuar mbështetjen e saj për Dhomat e Specializuara të Kosovës, duke i cilësuar ato si një institucion gjyqësor të pavarur. Brukseli rikujton se institucioni u themelua përmes vendimeve të Kuvendit të Kosovës gjatë viteve 2014-2015.
Sipas BE-së, Parlamenti i Kosovës, përmes një amendamenti kushtetues, autorizoi zhvendosjen e procedurave gjyqësore në Hagë, me qëllim garantimin e proceseve të pavarura, të paanshme dhe të drejta lidhur me pretendimet për krime të rënda të kryera gjatë dhe pas konfliktit në Kosovë.
Megjithatë, Bashkimi Europian thekson se vendimi që pritet të shpallet më 16 shtator nuk përbën përfundimin e procesit gjyqësor. Aktgjykimi i shkallës së parë mund të ankimohet si nga mbrojtja, ashtu edhe nga prokuroria.
“Ashtu si në të gjitha procedurat e tjera gjyqësore, ndaj aktgjykimeve të shkallës së parë mund të ushtrohet ankesë si nga mbrojtja, ashtu edhe nga prokuroria”, thekson BE-ja.
Brukseli vlerëson gjithashtu se puna e Dhomave të Specializuara të Kosovës është e rëndësishme për promovimin e llogaridhënies dhe për njohjen e përvojave të viktimave dhe familjeve të tyre nga të gjitha komunitetet në Kosovë.
Ndërkohë, në Prishtinë pritet të zhvillohet një marsh paqësor në mbështetje të katër ish-krerëve të UÇK-së. Marshi do të nisë në orën 14:00 dhe organizatorët presin pjesëmarrjen e qytetarëve nga e gjithë Kosova. Kërkesa e tyre është drejtësia për Thaçin, Veselin, Krasniqin dhe Selimin.
Procesi gjyqësor në Hagë është shoqëruar gjatë gjithë kohës me kritika nga Kosova ndaj punës së Dhomave të Specializuara, të cilat një pjesë e opinionit publik i ka konsideruar si të njëanshme.
Aktakuza e Prokurorit të Specializuar përmban 10 pika ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së, gjashtë prej të cilave lidhen me krime kundër njerëzimit dhe katër me krime lufte. Në fillim të këtij viti, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte kërkuar dënime me një total prej 45 vitesh burgim për të akuzuarit.
Dhomat e Specializuara të Kosovës u krijuan në vitin 2015, ndërsa nisën funksionimin në vitet 2016-2017, pas shkëmbimit të letrave mes Kosovës dhe Bashkimit Europian, ndryshimeve kushtetuese dhe marrëveshjes me Holandën për zhvendosjen e institucioneve gjyqësore në Hagë.


