Kryeministri Edi Rama ka reaguar me tone të ashpra pas protestës së zhvilluar në Vlorë kundër ndërtimit të Muzeut Hebraik, ku pati edhe tensione mes protestuesve dhe forcave të policisë.
Protesta u përqendrua pranë kantierit të muzeut, ku pjesëmarrësit kundërshtuan projektin me pretendimin se ndërhyrja prek godinën historike të Klubit Patriotik “Labëria”. Rama i hodhi poshtë këto pretendime, duke deklaruar se bëhet fjalë për dy objekte të ndryshme dhe se Muzeu “Labëria” do t’i nënshtrohet gjithashtu rijetësimit.
Në reagimin e publikuar në “X”, kryeministri rezervoi sulme të forta ndaj Bujar Leskajt, duke shkruar se “Çeta e Lesko Pijanikut e ka zakon këtë ritual sulmesh mbi kantieret e transformimit epokal të Vlorës”.
Rama bëri të ditur se, me kërkesën e tij, Fondi Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit ka akorduar 200 mijë dollarë për hartimin e projektit të rijetësimit të Muzeut “Labëria”. Sipas kryeministrit, godina do të rehabilitohet dhe, së bashku me Muzeun Hebraik, do të shërbejë si një tjetër pikë e rëndësishme e trashëgimisë historike dhe turistike të qytetit.
Në fund të postimit, Rama vijoi me gjuhë të ashpër ndaj Leskajt, duke e akuzuar atë për kundërshtim të vazhdueshëm të projekteve që qeveria po zbaton në Vlorë.
Postimi i plotë i kryeministrit Rama:
Një grup delenxhinjsh me në krye Lesko pijanikun kanë mësyrë sot në kantierin e Muzeut Hebraik të Vlorës – një gur themeli i kujtesës historike të qytetit të Pavarësisë e të lavdisë në mbrojtjen e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore – me pretendimin pervers dhe shpifarak se medemek po u shkatërroka Muzeu Labëria ose ndryshe Muzeu Etnografik.
Çeta e Lesko Pijanikut e ka zakon këtë ritual sulmesh mbi kantieret e transformimit epokal të Vlorës, por populli vlonjat duhet ta dijë që me kërkesën time, Fondi Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit ka akorduar 200 mije USD per hartimin e projektit të Rilindjes së Muzeut Labëria, një karakatinë e degraduar totalisht që do të kthehet krahas Muzeut Hebraik në një tjetër derë të hapur krenarie të Vlorës patriotike e turistike.
Dhe Lesko Pijaniku do vrapojë tek kantieret e radhës, njësoj siç vrapon përnatë pas kecave e pulave që shoqërojnë rrëketë e rakisë në gurmazin e pangopur të tij. /Versus.al


