BOTA /

Alarm për krizë globale energjetike, rreziku nuk është më vetëm çmimi: Furnizimi me karburant nën presion

Situata është rënduar pas njoftimit të Arabisë Saudite për mbylljen e përkohshme të naftësjellësit Lindje-Perëndim.

Shkruar nga Versus

Alarm për krizë globale energjetike, rreziku nuk është

Tregjet globale të energjisë po përballen me një situatë gjithnjë e më të tensionuar, teksa frika po zhvendoset nga rritja e fortë e çmimeve drejt një skenari edhe më shqetësues: mungesës fizike të karburantit në treg.

Situata është rënduar pas njoftimit të Arabisë Saudite për mbylljen e përkohshme të naftësjellësit Lindje-Perëndim.

Nëpërmjet kësaj linje transportohen rreth 4–5 milionë fuçi naftë në ditë, sasi që përfaqëson afërsisht 5% të furnizimit global. Vendimi raportohet se është marrë si masë parandaluese pas një sulmi me dron me origjinë nga Iraku.

Naftësjellësi, me gjatësi rreth 1,200 kilometra, konsiderohet një rrugë alternative me rëndësi strategjike në një moment kur transporti përmes Ngushticës së Hormuzit është reduktuar ndjeshëm për shkak të konfliktit mes SHBA-së dhe Iranit.

Presioni mbi furnizimin është shtuar edhe nga raportimet se rebelët Houthi kanë marrë kontrollin e ishullit strategjik të Perimit, në ngushticën Bab el-Mandeb. Një zhvillim i tillë do të rriste pasigurinë edhe në një prej korridoreve kryesore detare për transportin ndërkombëtar të energjisë.

Në tregje, reagimi ka qenë i menjëhershëm. Sipas të dhënave të raportuara, nafta ka kaluar përsëri pragun e 100 dollarëve për fuçi, ndërsa produkti i gatshëm 10 ppm ka arritur në 1,560 dollarë për ton. Për shkak se zhvillimet e fundit ndodhën pas mbylljes së tregjeve të premten, pritshmëritë janë për luhatje të forta me rihapjen e bursave.

Shqetësimi më i madh, megjithatë, lidhet me aftësinë e vendeve për të kompensuar ndërprerjet e furnizimit. Nëse korridoret kryesore të transportit mbeten të bllokuara për një periudhë të gjatë, presioni mund të kalojë nga çmimet e larta te problemet reale me furnizimin e tregjeve me karburant.

Në një skenar të zgjatur, pasoja mund të ndihen jo vetëm në pikat e karburantit, por në të gjithë ekonominë globale, nga transporti dhe industria deri te çmimet e mallrave dhe kostot e jetesës./Versus.al

Poll