
Kryeministri Edi Rama ka mbërritur pasditen e sotme në Vlorë, ku pritet të zhvillojë një sërë takimesh në kuadër të diskutimeve për Reformën Territoriale.
Sipas raportimeve, kreu i qeverisë shoqërohet nga ministri i Brendshëm Ervin Demo, drejtuesi politik i qarkut Vlorë Bledi Çuçi dhe bashkëkryetari i Komisionit për Reformën Territoriale, Arbjan Mazniku.
Ndalesa e parë është parashikuar në Pallatin e Kulturës, ku Rama do të zhvillojë një bashkëbisedim me qytetarët mbi draftin e Partisë Socialiste për ndryshimet në hartën territoriale. Takimi pritet të vijojë deri rreth orës 17:30.
Pas diskutimeve, axhenda e kryeministrit zhvendoset në Lungomare dhe më pas në zonën e ish-Parkut Aulona. Në këtë të fundit Rama pritet të prezantojë një nga projektet e parashikuara për transformimin e hapësirës në një zonë çlodhëse dhe kreative në funksion të qytetarëve dhe turistëve.
Vizita pritet të vijojë më pas në territorin e Bashkisë Selenicë, ku kreu i qeverisë do të zhvillojë takime të tjera./Versus.al

