
Vrasja e 24-vjeçares, Abigel Laçit në Graz vijon të hetohet nga autoritetet austriake, ndërsa detaje të reja janë bërë publike për marrëdhënien mes viktimës dhe të dyshuarit 23-vjeçar.
Sipas medias austriake 'Kronen Zeitung', prokuroria e Grazit nuk e konsideron ngjarjen një veprim të kryer në gjaknxehtësi apo një shpërthim të papritur.
Mes 24-vjeçares dhe të dyshuarit, i cili ishte vëllai i partnerit të saj, kishte ekzistuar prej kohësh një konflikt i vazhdueshëm.
Prokuroria, megjithatë, nuk ka dhënë detaje mbi arsyen e konfliktit dhe as mbi motivin e saktë të vrasjes.
Po ashtu, autoritetet nuk kanë konfirmuar nëse krimi ishte planifikuar më parë, duke lënë të hapura të dyja mundësitë.
I dyshuari fillimisht kishte mohuar përfshirjen në ngjarje, por më pas, të shtunën, ka dhënë një rrëfim të plotë për krimin.
Aktualisht ai ndodhet në paraburgim, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave.
Ngjarja ka tronditur Grazin, ndërsa autoritetet po përpiqen të përcaktojnë se çfarë e kishte shkaktuar konfliktin mes dy personave dhe nëse ka pasur elementë të tjerë që kanë paraprirë vrasjen.
Versus.al

