
Deputetja socialiste Iris Luarasi ka paralajmëruar kallëzim ndaj aktivisteve që sot e përballën në një qendër tregtare në Tiranë, duke e akuzuar dhe cilësuar “hajdute”, ndërsa filmonin incidentin me telefonat e tyre.
Në një video-mesazh të publikuar disa orë pas përplasjes, Luarasi tha se nuk pranon fyerjet dhe akuzat ndaj saj, duke deklaruar se rasti do t’i lihet në dorë drejtësisë.
“Më thirrën hajdute, por nderin, punën dhe emrin tim nuk lejova të m’i vjedhë askush. Kritikën e përballoj, pyetjeve u përgjigjem, por shpifjen, kërcënimin dhe dhunën nuk i pranoj”, u shpreh ajo.
Luarasi i cilësoi sjelljet e aktivisteve si “agresion” dhe jo aktivizëm.
“Prandaj këtë rast do ta denoncoj dhe do t’ia lë drejtësisë të veprojë. Fyerja nuk është protestë, poshtërimi nuk është aktivizëm”, deklaroi deputetja.

