Pyetjet që i mungojnë monologut me raketa të Ben Tigrit në TV Zeni nga kazinotë tek disa afera që nuk janë hetuar nga SPAK

Krim & Korrupsion

Publikuar: 08/09/2026

Pyetjet që i mungojnë monologut me raketa të Ben Tigrit në TV Zeni nga kazinotë tek disa afera që nuk janë hetuar nga SPAK

Nga Adriatik Doçi

Monologut të radhës së Arben Ahmetajt nga kazinoja e St.Moritz në Zvicër, shfaqur në Zeni Tv, këtë herë pasuruar me raketa, përgjime dhe eliminime si një film triller, i mungonin sërish disa pyetje, me rëndësi jo vetëm për besueshmërinë e akuzave të pretenduara, por tregues edhe i mosveprimit të SPAK për disa episode të tjera të dyshuara dhe të pandëshkuara korruptive.

-Si e binde Albtelekom në 2016, kur ishte ministër Financash që të tërhiqej nga beteja gjyqësore për kërkimin e detyrimit prej 23 milionë eurosh ndaj kompanisë Hermes, kur ju keni qenë pronar i Hermes gjatë vjedhjes me impulset telefonike, dhe në një kohë kur Ministria e Financave që ju drejtonit kishte kishte 14 % të aksioneve në Albtelekom?

-Cili është burimi i 93 mijë eurove që keni shpenzuar në kazinonë Dragonara të Maltës në muajin korrik të vitit 2018? Pse nuk e keni deklaruar këtë shpenzim në ILDKPKI sipas ligjit? Sa shuma të tjera parash keni shpenzuar nëpër kazinotë e Evropës?

-Çfarë të lidh me pikën e këmbimit valutor me nipt K72806620K dhe si i tërheq paratë e padeklaruara në Zvicër?

-A i keni kërkuar Erion Veliajt në zyrë për t’u dhënë fondet e rindërtimit disa klientëve tuaj të preferuar dhe çfarë keni përfituar në këmbim?

-Si ka mundësi që Gazim Bregu, pasi ndërtoi falas vilën tuaj në Hamallaj, përfitoi 20 milionë euro nga fondet e rindërtimit, për menaxhimin e të cilave Edi Rama të kishte caktuar pikërisht ty?

-Meqenëse rrihni gjoksin se keni kundërshtuar inceneratorin e Tiranës, pse nuk i kundërshtuat edhe inceneratorët e Fierit dhe Elbasanit si atë të Tiranës? A nuk financoheshin të tre me para publike?

-Në bisedat telefonike me Ilir Metën (njëri nga burgu, tjetri nga arratia), cilit gjyqtar i referoheni që ka pranuar pranuar ofertën që i keni bërë përmes një të afërmi të tij?

-A keni kërcënuar nga Zvicra zyrtarë publikë që të mos zbatojnë vendimet e GJKKO për sekustrimin e disa pasurive të tuat si produkt i aferave korruptive?

-A po shantazhoni disa biznesmenë, të favorizuar nga ju gjatë periudhës 2013-2022, për të kaluar sipërfaqe ndërtimore, pjesë kullash, aksione, vila dhe para në emrin subjekteve prestanome brenda dhe jashtë vendit?