Kuvendi ka nisur sot punimet e sesionit të tretë të Legjislaturës XI, me ekzekutimin e Himnit Kombëtar nga deputetët dhe fjalën e hapjes së kryetarit Niko Peleshi.
Në nisje të sesionit të ri parlamentar, Peleshi theksoi nevojën për më shumë përgjegjësi, llogaridhënie dhe rezultate konkrete në funksion të qytetarëve dhe interesit të vendit.
Kryetari i Kuvendit renditi tre drejtime kryesore për punën parlamentare, me fokus procesin e integrimit evropian.
Prioriteti i parë, sipas tij, do të jetë përafrimi i legjislacionit me standardet e Bashkimit Evropian dhe përmbushja e detyrimeve që burojnë nga negociatat.
Peleshi nënvizoi gjithashtu rëndësinë e kontrollit postlegjislativ, duke argumentuar se puna e Kuvendit nuk përfundon me miratimin e një ligji, por vijon me monitorimin e zbatimit dhe vlerësimin e efekteve të tij.
Drejtimi i dytë lidhet me forcimin e diplomacisë parlamentare. Peleshi bëri të ditur se do të vijojnë kontaktet me parlamentet e 27 vendeve anëtare të BE-së, ndërsa më 28 shtator në Tiranë do të zhvillohet Konferenca Ndërparlamentare “Agjenda Strategjike e Zgjerimit të BE-së dhe anëtarësimi i Shqipërisë”.
Konferenca pritet të mbledhë përfaqësues të parlamenteve të vendeve anëtare, vendeve kandidate dhe institucioneve evropiane.
Ndërsa si drejtim të tretë, Peleshi renditi përgatitjen e Shqipërisë për anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian.
“Nuk do të presim ditën e anëtarësimit për të filluar përgatitjet për anëtarësimin. Do të fillojmë që sot”, deklaroi ai.
Në fjalën e tij, kryetari i Kuvendit u ndal edhe te Reforma Zgjedhore dhe Reforma Administrative-Territoriale, të cilat i cilësoi si procese të rëndësishme për cilësinë e demokracisë, përfaqësimin dhe funksionimin e institucioneve.
“Reformat tona duhet të afrojnë më shumë institucionet me qytetarin”, u shpreh Peleshi.
Ai kërkoi gjithashtu përmirësimin e kuadrit ligjor për të krijuar forma të reja ndërveprimi mes qeverisë, deputetëve dhe zgjedhësve.
“Autoriteti parlamentar nuk është privilegj. Është përgjegjësi”, deklaroi Peleshi, duke theksuar nevojën për rishikimin e Statusit të Deputetit, me synimin që mandati parlamentar të shërbejë si instrument llogaridhënieje ndaj qytetarëve.
Gjatë këtij sesioni, Kuvendi pritet të trajtojë edhe çështjet që burojnë nga vendimet e Gjykatës Kushtetuese, si dhe të angazhohet në procedurat për zgjedhjen e drejtuesve të institucioneve të pavarura, përfshirë Këshillin e Lartë Gjyqësor, Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe Prokurorin e Përgjithshëm.
Një tjetër prioritet do të jetë modernizimi teknologjik i Kuvendit. Peleshi tha se do të zgjerohet përdorimi i teknologjisë dhe Inteligjencës Artificiale për rritjen e eficiencës, produktivitetit dhe transparencës së veprimtarisë parlamentare.
Në përfundim, Peleshi theksoi se puna e Kuvendit duhet të matet me rezultatet konkrete dhe jo vetëm me premtimet.
“Shqipëria e ka zgjedhur Evropën. Tani duhet të vazhdojmë të bëjmë punën që na çon atje”, përfundoi ai.


