Një e re ka humbur jetën si pasojë e plagëve të rënda të shkaktuara nga zjarri, pasi dyshohet se vëllai i saj i kishte vënë flakën krevatit ku ajo qëndronte.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur më 6 shtator në fshatin Poterq të Klinës, në Kosovë. Sipas Policisë së Kosovës, i dyshuari, i cili dyshohet se ka probleme me shëndetin mendor, fillimisht i ka vënë flakën krevatit ku ndodhej motra e tij.
Më pas, ai dyshohet se ka sulmuar me një mjet të fortë edhe nënën e tij, duke u shkaktuar të dyja grave lëndime të rënda trupore.
Viktimat janë dërguar fillimisht në Spitalin Rajonal të Pejës dhe më pas në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë, për shkak të natyrës së rëndë të plagëve.
Policia është njoftuar më 7 shtator se e reja, e cila kishte pësuar djegie të rënda, nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve. Vdekja e saj është konstatuar nga ekipi mjekësor.
Ndërkohë, i dyshuari është arrestuar menjëherë pas ngjarjes. Me vendim të prokurorit, ndaj tij është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
Për shkak të gjendjes së rënduar psikike, ai është vendosur në repartin e psikiatrisë në Spitalin Rajonal të Pejës, ku ndodhet nën përkujdesjen e personelit mjekësor dhe mbikëqyrjen e zyrtarëve policorë.
Policia dhe organet e drejtësisë vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe përcaktimin e përgjegjësisë penale.


