Gjykata Themelore në Prishtinë, pas aprovimit të marrëveshjes për pranim fajësie, e ka dënuar me 2 vjet burgim me kusht dhe 6 mijë euro gjobë këngëtarin Besart Kelmendi i njohur si Gjesti, lidhur me akuzën për tri vepra penale “Armëmbajtje pa leje”, “Kanosje” dhe “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë”.
Aktgjykimi u shpall të hënën nga gjykatësja Edita Çanta, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Për veprën penale “Kanosje”, i akuzuari u dënua me 2 vjet burgim me kusht, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse i pandehuri nuk kryen vepër penale brenda dy vjetëve pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit. Për veprën penale “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë”, u dënua me 3 mijë euro gjobë. Kurse, për armëmbajtje pa leje, u dënua me 3 mijë euro gjobë.
Ndaj Gjestit, Gjykata shpalli dënim unik me 2 vjet burgim me kusht dhe 6 mijë euro gjobë.
Në dënimin me gjobë, i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.
I akuzuari obligohet t’i paguajë shpenzimet e procedurës penale dhe atë për paushallin gjyqësor 50 euro dhe 20 euro të tjera për Fondin për Kompensimin e Krimit.
Pala e dëmtuar u udhëzua në kontest të rregullt juridiko-civil. Ndaj këtij vendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditësh pas pranimit të aktgjykimit.
Edhe
Gjesti në Shqipëri, dështon seanca ku akuzohet për tri vepra penale
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë më 19 mars 2026 njoftoi se këngëtari Besart Kelmendi i njohur si Gjesti, ka arritur marrëveshje për pranim fajësie me Prokurorinë, andaj me kërkesë të prokurorit, atij iu ndërpre masa e paraburgimit.
Gjesti ishte arrestuar më 11 mars, ku akuzohej për tri vepra penale. Ai më 19 mars kishte pranuar fajësinë dhe ishte liruar nga paraburgimi.