Opozita e qendrës së majtë në Suedi pritet të dalë fituese në zgjedhjet parlamentare, sipas sondazheve të publikuara pas mbylljes së qendrave të votimit.
Sipas sondazhit të transmetuesit suedez SVT, blloku i qendrës së majtë, i mbështetur nga liderja e Socialdemokratëve, Magdalena Andersson, ka siguruar rreth 51.3% të votave.
Në avantazh opozitën e nxori edhe një sondazh i transmetuesit TV4, i realizuar gjatë ditës së zgjedhjeve.
Rezultati paraprak përbën një goditje për kampin e djathtë, ndërsa Demokratët e Suedisë, partia e së djathtës ekstreme, duket se kanë humbur terren. Sipas sondazhit SVT/Valu, ata janë renditur në vendin e tretë, pas partisë së kryeministrit aktual, Ulf Kristersson.
Nëse këto rezultate konfirmohen nga numërimi zyrtar, ato do ta vështirësonin përpjekjen e Kristersson për të siguruar një mandat të dytë në krye të qeverisë.
Ndërkohë, një fitore e bllokut të djathtë do t’u hapte rrugën Demokratëve të Suedisë për të marrë pjesë zyrtarisht në qeveri për herë të parë.
Partia e së djathtës ekstreme ka rritur ndjeshëm ndikimin e saj në politikën suedeze dhe aktualisht mbështet qeverinë e Kristersson, e cila përbëhet nga Partia e Moderatëve, Kristian Demokratët dhe Liberalët.
Qeveria aktuale është një kabinet minoritar dhe mbështetet te votat e Demokratëve të Suedisë për të siguruar shumicën parlamentare.
Rezultati përfundimtar i zgjedhjeve pritet të përcaktojë nëse Suedia do të vijojë me qeverisjen e krahut të djathtë apo do t’i rikthejë pushtetin bllokut të qendrës së majtë.


