Kryeministri hungarez Péter Magyar ka njoftuar ndryshime të rëndësishme në rregullat e birësimit, duke premtuar një sistem të ri që nuk do të bazohet te statusi martesor apo orientimi seksual i prindërve, por te interesi dhe mirëqenia e fëmijës.
Qeveria hungareze ka publikuar një raport gjithëpërfshirës prej 220 faqesh për mbrojtjen e fëmijëve, i cili arrin në përfundimin se sistemi aktual i birësimit është në prag të kolapsit.
Dokumenti pritet të shërbejë si bazë për rishikimin e plotë të rregullave të birësimit, një proces që ka shkaktuar reagime të forta politike në Hungari, transmeton Telegrafi.
Kryeministri Péter Magyar deklaroi se qeveria e tij do të ndryshojë rregullat që përcaktojnë mundësinë e birësimit nga personat beqarë dhe çiftet e të njëjtit seks, duke argumentuar se sistemi aktual nuk është më i qëndrueshëm.
Sipas tij, vendimi se kush është i përshtatshëm për të birësuar një fëmijë nuk duhet të jetë çështje politike, por duhet t’u lihet profesionistëve, përfshirë psikologët dhe ekspertët e mbrojtjes së fëmijëve.
“Politikanët duhet të tërhiqen një hap pas nga kjo çështje”, është shprehur Magyar.
Kryeministri hungarez theksoi se sistemi “nuk mund të funksionojë siç duhet në gjendjen e tij aktuale” dhe se kriteri kryesor duhet të jetë gjithmonë interesi i fëmijës. Versus.al

