Pa partitë opozitare, formohet Qeveria “Kurti 4”. Kush janë anëtarët e kabinetit
Kuvendi i Kosovës ka votuar Qeverinë e re, të udhëhequr nga Albin Kurti, duke shënuar nisjen e mandatit të katërt të tij si kryeministër. Qeveria mori mbështetjen e shumicës së deputetëve të pranishëm, me 62 vota për, tetë kundër dhe asnjë abstenim.
Para votimit, kryeministri Kurti prezantoi ekspozenë e Qeverisë së re, duke përmendur arritjet e mandatit të kaluar në ekonomi, masat sociale dhe mbështetjen për sektorë të ndryshëm.
Kurti foli edhe për proceset gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, duke deklaruar se këto ditë pritet me ankth verdikti që do të jepet ndaj katërshes së UÇK-së.
Në seancën ku u votua Qeveria e re nuk ishin të pranishëm deputetët e PDK-së, LDK-së dhe Aleancës. Në sallë ishin vetëm deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Listës Serbe dhe përfaqësuesit e komuniteteve jo shumicë.
Kabineti i Qeverisë Kurti 4:
Albin Kurti – kryeministër
Glauk Konjufca – zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës
Donika Gërvalla-Schwarz – zëvendëskryeministre e dytë dhe ministre e Drejtësisë
Fikrim Damka – zëvendëskryeministër i tretë për Çështje të Pakicave dhe Bashkëpunim
Hekuran Murati – ministër i Financave
Andin Hoti – ministër për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare
Ejup Maqedonci – ministër i Mbrojtjes
Xhelal Sveçla – ministër i Punëve të Brendshme
Lulëzon Jagxhiu – ministër i Digjitalizimit dhe Administratës Publike
Arben Vitia – ministër i Shëndetësisë
Hajrulla Çeku – ministër i Arsimit dhe Shkencës
Saranda Bogujevci – ministre e Kulturës dhe Turizmit
Blerim Gashani – ministër i Sportit dhe Rinisë
Elbert Krasniqi – ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal
Fitore Pacolli – ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor
Armend Muja – ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural
Dimal Basha – ministër i Infrastrukturës dhe Transportit
Mimoza Kusari-Lila – ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit
Artane Rizvanolli – ministre e Ekonomisë
Nenad Rashiq – ministër për Komunitete dhe Kthim
Rasim Demiri – ministër për Zhvillim Rajonal
Pas votimit, kabineti i ri dha betimin para Kuvendit.
Ndërkohë, përplasja politike dhe juridike mbetet e hapur, pasi PDK-ja ka paralajmëruar dërgimin e çështjes së konstituimit të Kuvendit në Gjykatën Kushtetuese.
/Shqip.com