Familjarët e të ndjerit Franc Konomi kanë thyer heshtjen pas shumë vitesh, duke kërkuar njohjen e të drejtave të tyre mbi pasurinë e lënë nga ai.
Në rubrikën “Shihemi në Gjyq”, me juristen Eni Çobani, bashkëshortja e Franc Konomit, Rovena, ka ngritur akuza ndaj kunatit të saj, Adi Konomi, lidhur me pasurinë që, sipas saj, i përkiste të ndjerit.
Rovena ka deklaruar se Franci kishte ndërtuar me vite një hotel, ndërsa më vonë ka mësuar se prona ishte marrë dhe shitur nga vëllai i tij.
Sipas rrëfimit të saj, hoteli ishte zhvilluar ndër vite me ambiente shërbimi, pishinë dhe dhoma për turistë.
“Franci ka lënë shtëpinë e tij, ka një hotel të cilin e ka ndërtuar gjithë këto vite, që kemi qenë në Gjermani. Unë mundoja që të investoja dhe të jepja një kontribut sa të mundja”, rrëfeu Rovena.
E pyetur nëse hoteli ishte i Francit, ajo u përgjigj:
“Po. Unë kur shkova që pija një kafe, mbaj mend që ne bëmë një piceri, pishinë, kemi pasur dhe dhoma ku vinin turistët. Pyeta i kujt ishte ky hotel, më thanë: ‘Ka qenë i Franc Konomit, e ka marrë Adi Konomi dhe ia ka shitur një personi tjetër’.”
Përplasja mes familjarëve nuk lidhet vetëm me pronat. Rovena ka rrëfyer edhe një episod të rëndë pas vrasjes së bashkëshortit të saj.
Ajo tregon se pas ngjarjes, policia i kërkoi të merrte automjetet e Francit, mes tyre edhe Mercedes-Benz-in në të cilin ai ishte vrarë. Sipas saj, ajo nuk dëshironte ta mbante makinën, ndërsa disa ditë më vonë pa vëllain e të ndjerit duke e përdorur atë.
“Unë të merrja një ‘Benz’ ku ka humbur jetën burri im, dua që të digjet ai ‘Benz’. Kur pas një jave shikoj vëllain e vet, e kishte larë makinën dhe lëvizte në mes të Tiranës. Të vritet vëllai yt dhe ti të hipësh te ajo makinë, ku ka dhënë shpirt?!”, tha ajo e përlotur.
Në këtë përballje, familjarët e Franc Konomit kërkojnë që fëmijët e tij, Xhoni dhe Franceska, të njihen si trashëgimtarë dhe të marrin pronat që pretendojnë se u takojnë ligjërisht.
Juristja Eni Çobani u shpreh se kjo ishte hera e parë që anëtarë të familjes së Franc Konomit flisnin publikisht për këtë çështje.
“Për herë të parë në mediat shqiptare dalin anëtarët e familjes së Franc Konomit dhe dalin pikërisht për një të drejtë, të cilën e kanë legjitime”, tha Çobani.
Franc Konomi u vra më 8 korrik 2010, pranë zonës së “Pazarit të Ri” në Tiranë. Ai u qëllua me 10 plumba dhe u gjet i pajetë brenda automjetit të tij Mercedes-Benz.
Konomi ishte një prej personazheve të njohur të botës së krimit të Tiranës gjatë viteve ’90 dhe, sipas raportimeve të kohës, ishte i fundit i mbetur gjallë nga një grup të rinjsh që në atë periudhë konsideroheshin si figura të fuqishme të botës së krimit.


