Kryeministri Edi Rama ka thënë sot nga Elbasani se reforma e re administrative-territoriale do të sjellë zhvillim ekonomik e social të qëndrueshëm.
“Sot në Elbasan, ku Reforma Administrative-Territoriale do të sjellë bashkimet Elbasan - Cërrik - Belsh dhe Librazhd - Prrenjas, duke krijuar premisa të reja për zhvillim ekonomik e social të qëndrueshëm”, shkruan Rama.
Në fjalën e tij, kryeministri tha se ka ardhur koha që bashkitë të bashkohen, duke hedhur poshtë dyshimet për këtë proces.
“Koha na ka treguar më herët se janë dyshime të pabazuara. Të gjitha shifrat na treguan se gjërat u përmirësuan. Nuk do të bëhen njësi administrative, raporti midis qytetit dhe njësive përkatëse administrative do të ruhet në funksion të shërbimeve. Bashkitë ekzistuese kryejnë shumë më pak funksione në krahasim me çfarë duhet të jetë”, tha Rama.
Sipas kreut të qeverisë, bashkimet synojnë rritjen e efikasitetit të shërbimeve dhe zhvillim më të qëndrueshëm ekonomik e social për zonat e përfshira.
