(Lajm i përditësuar)- Me 62 vota për dhe tetë kundër është votuar Qeveria Kurti 4 në një seancë të jashtëzakonshme të thirrur nga Kuvendi i Kosovës.
Pas votimit të Qeverisë është betuar kabineti qeveritar.
Pas seancës që u mbajt paraditen e së dielës, ku kryetarja e Kuvendit Albulena Haxhiu e shpalli të konstituuar Kuvendin pa nënkryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje dërgoi në zyrën e saj emrin e Albin Kurtit për mandatar të Qeverisë. Më pas, Haxhiu e mandatoi Kurtin e u thirr edhe seanca.
Deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës e të Aleancës nuk ishin të pranishëm në seancë ku u votua Qeveria. Të pranishëm ishin deputetë të VV-së, Listës Serbe e disa nga komunitetet.
Pas fjalimit të Kurtit nga ku prezantoi edhe përbërjen e Qeverisë dhe planet për 4 vjetet e ardhshme, ajo u hodh në votim duke marrë 62 vota për dhe tetë kundër nga deputetët e Listës Serbe.
Kabineti qeveritar i Qeverisë Kurti 4:
Zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca,
Zëvendëskryeministre e dytë dhe ministre e Drejtësisë, Donika Gërvalla,
Zëvendëskryeministër i tretë për Çështje të Pakicave dhe Bashkëpunim, Fikrim Damka,
Ministër i Financave, Hekuran Murati,
Ministër për Punë, Familje dhe Vlera të luftës çlirimtare, Andin Hoti,
Ministër i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci,
Ministër i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla,
Ministër i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu,
Ministër i Shëndetësisë, Arben Vitia,
Ministër i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku,
Ministre e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci,
Ministër i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani,
Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi
Ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli,
Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja,
Ministër i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha,
Ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila,
Ministre e Ekonomisë, Artane Rizvanolli,
Ministër për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq,
Ministër për Zhvillim Rajonal, Rasim Demiri.
PDK-ja do t’i drejtohet Kushtetueses edhe për Qeverinë Kurti 4
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda përmes një konferenceje për media me deputetin tjetër të PDK-së Arian Tahiri, ka njoftuar se përveç për konstituimin e Kuvendit, ky subjekt politik do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese edhe për zgjedhjen e sotme të Qeverisë.
Lëvizja Vetëvendosje sot e ka votuar në Kuvendin e Kosovës, Qeverinë Kurti 4.
Tahiri ka thënë se Kurti ka luajtur gjatë gjithë kësaj kohe me institucionet, e ka shpërfillur Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
“Procedimet e sotme dhe konstatimet e tyre se Kuvendi është konstituuar janë përtej afatave kushtetuese dhe gjithçka që del nga ky Kuvend, ne do ta dërgojmë për shqyrtim të ligjshmërisë në Gjykatën Kushtetuese. Kosova duhet të funksionojë sipas rendit kushtetues dhe jo sipas një rendi që tenton ta krijojë Kurti për interesat e tij politike. Ekspertët e PDK-së tashmë janë duke punuar në përgatitjen e rastit, i cili do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, për procesin në tërësi”, ka thënë Tahiri.
Deputeti Gruda ka folur edhe për zgjedhjen e nënkryetarit serb të Kuvendit të Kosovës. Ai ka thënë se ky Kuvend ka problem me legjitimitet dhe se kjo Qeveri është më jokompetentja.
Gjithë propaganda ndaj Listës Serbe lojë politike, në fund e pranuan nënkryetarin. Ishin prezentë kur u zgjodh qeveria. Çdo gjë pjesë e propagandës, nuk ka asgjë tjetër. I kemi parë duke u koordinuar fshehtas, pra ata operojnë jashtë syve të publikut bashkë. Në sy të publikut duket se ka një konflikt që është tërësisht artificial. Është përbërja më jokompetente që ka pasur Kosova e lirë prej vitit 1999. Qeveria më jokompetente që ka pasur Kosova. Kuvendi ka problem me kushtetutshmërinë e vetë legjitimitetin e vetë. Nuk mund të marrim pjesë në një Kuvend të tillë”, ka thënë Gruda.
Edhe Aleanca ka paralajmëruar se do ta dërgoj në Kushtetuese konstituimin e Kuvendit. Për këtë, Gruda u shpreh se në rast se ky subjekt politik ka nevojë për nënshkrimet e PDK-së që të bëhen dhjetë atëherë janë të gatshëm t’ua ofrojnë.
“Do të dërgojmë një kërkesë të ndarë, nëse do të kenë nevojë për ta dërguar një kërkesë të tillë unë besoj se ka deputetë që janë të gatshëm ta ndihmojnë Aleancën”, ka thënë Gruda.
Haxhiu: Kosova ka nevojë për institucione të forta e funksionale, jo pritje e vonesa të reja
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thënë se pret nga deputetët ta ushtrojnë përgjegjësinë e tyre dhe procesi i zgjedhjet së presidentit të përmbyllet me sukses.
Haxhiu në një postim në Facebook ka uruar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe kabinetin e ri qeveritar.
“Me votimet e sotme, Republika e Kosovës tashmë i ka Kuvendin dhe Qeverinë. Mbetet edhe një hap i rëndësishëm për kompletimin e institucioneve e që është zgjedhja e Presidentit të Republikës. Pres që deputetët ta ushtrojnë përgjegjësinë e tyre kushtetuese dhe që ky proces të përmbyllet me sukses. Kosova ka nevojë për institucione të forta, funksionale dhe stabile dhe jo për pritje dhe vonesa të reja”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.
Aleanca do t’i drejtohet Kushtetueses, Gjini: Qeveria e votuar jokushtetuese e jolegjitime
Aleanca do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, pasi vlerëson se Qeveria Kurti 4 është jokushtetuese dhe jolegjitime.
Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, tha se pret adresim me prioritet të kësaj çështje nga Kushtetuesja.
“Qeveria që u votua sot është jokushtetuese dhe jolegjitime. Aleanca do t'i drejtohet Gjykatës Kushtetuese dhe presim adresim me prioritet nga kjo e fundit, meqë themelet e kushtetueshmërisë po lëkunden”, ka shkruar Gjini në Facebook.
Tahiri: Pasi gati dy vjetësh krizë, Kosova ka Kuvend e Qeveri jashtëkushtetuese
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka thënë se në dy vjet kriza politike, institucionale e kushtetuese, vendi sot ka një Kuvend dhe një Qeveri jashtëkushtetuese.
Ndërkaq Lëvizjen Vetëvendosje e ka quajtur shumicë që prodhon kriza në një kohë kur për vendin priten vendime jetike për historinë, por edhe për të ardhmen.
“Kriza dhe lojëra politike, kjo është logjika e tyre. Vetëm brenda dy ditëve kemi parë plot makinacione e papërgjegjësi që shpërfaqin të vërtetën e tyre. Përmes votimit treguan se sa të vërteta i kishin qëndrimet e tyre ndaj deklaratave antishtetërore të Listës Serbe. Qytetarët i panë dhe i dëgjuan edhe një herë fjalët boshe të qeverisë jokushtetuese Kurti 4, e cila, veç numrave dhe viteve të humbura, përsërit premtimet dhe thellon krizat. Asnjë sukses, asnjë rezultat”, ka shkruar ai.
Ka thënë se janë shpenzuar miliona euro pa asnjë projekt të përmbyllur.
“Kjo po ndodh në një kohë kur kriza e çmimeve ka rënduar jetën e qytetarëve, kur nafta ka arritur në 1 euro e 83 cent, faturat e energjisë kanë prekur kulmin dhe inflacioni për të njëjtën periudhë është rritur në 7.3%. Sa tragjike, aq edhe qesharake t'i dëgjosh premtimet e njëjta për dështimet e gjithë këtyre viteve. Këtyre njerëzve u ka humbur busulla, dhe po ia humbin rrugën edhe popullit e shtetit”, ka shkruar ai.
Ramadani pas votimit të Qeverisë Kurti: Punë s’ka bërë, punë s’ka për të bërë
Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, ka komentuar përbërjen e Qeverisë Kurti 4 e po ashtu edhe premtimet për mandatin e ardhshëm.
Ka deklaruar se Kurti do të ulet në kolltuqet qeveritare vet i 21-ti, ndërkaq premtimet nuk i kanë lëvizur që nga viti 2021.
“Vet i 21-ti në kolltuqe qeveritare, Kurti sot e tha qartë edhe vet se ekspozeja është e njëjta, sikurse që ka qenë. Vërtetë janë premtimet e njëjta pothuajse 100% që nga viti 2021. Pra, s’ka lëvizur gjë që nga ajo kohë”, ka shkruar ai.
Sipas tij, nuk kishte asgjë të re as në përmbajtje dhe as në ekip, sepse sipas tij, përsëritja e fjalëve është krejt çka po ndodh që sa vite.
“Punë s’ka bërë, punë s’ka për të bërë! Fjalë dhe vetëm fjalë!”, ka shkruar Ramadani, ai dhe partia e të cilit nuk mori pjesë në seancën e sotme ku u votua Qeveria.
Sadiku: Kurti prezanton programin e vitit 2019, para koalicionit VV – Lista Srpska
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ermal Sadiku, në një postim në Facebook ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në seancën e Kuvendit ka prezantuar programin e vitit 2019, para “koalicionit VV – Lista Srpska”.
“Dmth, Kurti po e prezanton programin e vitit 2019, para koalicionit VV–Lista Srpska ne vitin 2026. Se, me sa duket, pas krejt çka ndodhi sot, vetëm VV-ja dhe Lista Srpska kanë mbetë që ende besojnë në këtë hajgare”, ka shkruar Sadiku.
Në seancën për zgjedhjen e Qeverisë Kurti 4 ishin të pranishëm deputetët e Vetëvendosjes, ata të Listës Serbe dhe disa të komuniteteve tjera joshumicë.
Për Qeverinë Kurti pro votuan 62 deputetë e kundër ishin 8 deputetët e Listës Serbe.
Në seancën nuk ishin prezentë deputetët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së.
Zgjidhet Qeveria Kurti 4
Me 62 vota për dhe tetë kundër (të Listës Serbe) është votuar Qeveria Kurti 4 në një seancë të jashtëzakonshme të thirrur nga Kuvendi i Kosovës.
Pas votimit të Qeverisë është betuar kabineti qeveritar.
Pas seancës që u mbajt paraditen e së dielës, ku kryetarja e Kuvendit Albulena Haxhiu e shpalli të konstituuar Kuvendin pa nënkryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje dërgoi në zyrën e saj emrin e Albin Kurtit për mandatar të Qeverisë. Më pas, Haxhiu e mandatoi Kurtin e u thirr edhe seanca.
Deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës, të Aleancës e Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk ishin të pranishëm në seancë ku u votua Qeveria. Të pranishëm ishin deputetë të VV-së, Listës Serbe e disa nga komunitetet.
Pas fjalimit të Kurtit nga ku prezantoi edhe përbërjen e Qeverisë dhe planet për 4 vjetet e ardhshme, ajo u hodh në votim duke marrë votat e nevojshme.
Kabineti qeveritar i Qeverisë Kurti 4:
Zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca,
Zëvendëskryeministre e dytë dhe ministre e Drejtësisë, Donika Gërvalla,
Zëvendëskryeministër i tretë për Çështje të Pakicave dhe Bashkëpunim, Fikrim Damka,
Ministër i Financave, Hekuran Murati,
Ministër për Punë, Familje dhe Vlera të luftës çlirimtare, Andin Hoti,
Ministër i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci,
Ministër i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla,
Ministër i Administratës Publike dhe Digjitalizimit, Lulëzon Jagxhiu,
Ministër i Shëndetësisë, Arben Vitia,
Ministër i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku,
Ministre e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci,
Ministër i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani,
Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi
Ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli,
Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja,
Ministër i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha,
Ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila,
Ministre e Ekonomisë, Artane Rizvanolli,
Ministër për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq,
Ministër për Zhvillim Rajonal, Rasim Demiri.
Zemaj për rezymenë e Kurtit: E njëjta propagandë, por mashtrimi është deshifruar
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, pas fjalimit të mandatarit Albin Kurti, ka thënë se programi i tij është i njëjtë, duke deklaruar se dështimet janë të pritshme.
Ka thënë se është e njëjta propagandë e të njëjtat arsyetime.
“Programi i njëjtë. Premtimet e njëjta. Dështimet e pritshme. E njëjta propagandë, të njëjtat fjalë, të njëjtat arsyetime. Por këtë herë, mashtrimi është deshifruar”, ka shkruar ai.
Deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk janë duke marrë pjesë në seancë.
Nuk ndryshon kabineti qeveritar i propozuar nga Kurti
Lista e plotë e propozuar nga Kurti:
Zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca,
Zëvendëskryeministre e dytë dhe ministre e Drejtësisë, Donika Gërvalla,
Zëvendëskryeministër i tretë për Çështje të Pakicave dhe Bashkëpunim, Fikrim Damka,
Ministër i Financave, Hekuran Murati,
Ministër për Punë, Familje dhe Vlera të luftës çlirimtare, Andin Hoti,
Ministër i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci,
Ministër i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla,
Ministër i Administratës Publike dhe Digjitalizimit, Lulëzon Jagxhiu,
Ministër i Shëndetësisë, Arben Vitia,
Ministër i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku,
Ministre e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci,
Ministër i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani,
Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi
Ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli,
Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja,
Ministër i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha,
Ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila,
Ministre e Ekonomisë, Artane Rizvanolli,
Ministër për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq,
Ministër për Zhvillim Rajonal, Rasim Demiri.
Kurti premton dyfishim të shtesave për fëmijë e krijim të valutës digjitale
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, njëherit mandatari për formimin e Qeverisë së re, ka thënë se vizioni i qeverisë së re do të jetë “punë për qytetarin e mbrojtje për familjen”.
Ai ka thënë se gjatë pesë vjetëve e gjysmë nën qeverisjen e tij ka pasur një rritje mestarë ekonomike prej 6 për qind të bruto produktit vendor.
Ai ka thënë se në përputhje me buxhetin do të dyfishohen shtesat për fëmijë.
“Nga 45 sa janë për çdo fëmijë për familjet me tre e më tepër fëmijë, në 90 euro. Me këtë rritje lëmë prapë edhe disa shtete të Bashkimit Evropian sa i përket shtesave për fëmijët”, tha Kurti në ekspoze.
Ai ka thënë se është punuar “për nënat, fëmijët, veriun, ushtrinë e bujqësinë” dhe se kjo do të vazhdojë edhe mandatin e ri.
Tha se do të rritet paga mesatare në sektorin publik në 1000 euro në muaj, e po ashtu tha se do të hiqet taksa doganore prej 10 për qind për veturat e importuara nga Bashkimi Evropian.
E shtoi se ligji për çmimet tavan do t’i mbrojë qytetarët e tregtarët e ndershëm nga abuzimi.
Kurti po ashtu tha se do të zhvillohet valuta digjitale e Kosovës e mbështetur në teknologjinë “blockchain” për pagesa e shërbime digjitale dhe tha se do të ndërtohet Kulla Teknologjisë Informative në Prishtinë.
Kurti premton pagë mesatare mbi 1000 euro në sektorin publik e 100 milionë për listën esenciale të barnave
Kurti premton pagë mesatare mbi 1000 euro në sektorin publik dhe forcim të sektorit të sigurisë
Kandidati për kryeministër, Albin Kurti, ka paraqitur në Kuvend programin e qeverisë së ardhshme, duke renditur një sërë premtimesh në ekonomi, familje, arsim, shëndetësi, infrastrukturë, turizëm dhe siguri.
Një nga premtimet kryesore të tij lidhet me pagat në sektorin publik, për të cilat tha se paga mesatare, sipas pritjeve aktuale, do të kalojë 1 mijë euro në muaj.
“Me rritjen ekonomike do të vazhdojë rritja e pagave në sektorin publik, ku paga mesatare sipas pritjes së tanishme do ta kalojë shumën prej 1000 euro në muaj”, deklaroi Kurti.
Në fushën ekonomike, Kurti tha se terminalet doganore tashmë i janë kthyer shtetit dhe paralajmëroi modernizimin e tyre. Ai bëri të ditur se pas zhbërjes së monopolit të arkave fiskale do të vendoset faturimi elektronik ndërmjet bizneseve, me mbikëqyrje në kohë reale të detyrimeve dhe rimbursim më të shpejtë të TVSH-së.
Një tjetër projekt i paralajmëruar është themelimi i një kompanie ajrore me kapital publik, në partneritet me kompani me përvojë nga Kosova dhe jashtë saj.
Kurti tha se qeveria e tij do të nisë programin “Anë e mbanë”, përmes të cilit synon krijimin e një rrjeti të unifikuar të transportit publik në të gjithë Kosovën.
Fillimisht, sipas tij, do të përfshihet transporti urban nëpër komuna, ndërsa më pas ai ndërurban.
Ai paralajmëroi edhe krijimin e një bilete të përbashkët dhe të subvencionuar, me synim që çmimi të jetë rreth 10 euro, duke i mundësuar qytetarëve të udhëtojnë nëpër Kosovë vetëm me atë biletë.
Në turizëm, Kurti premtoi nisjen e një projekti të madh në Brezovicë, me investime që, sipas tij, mund të arrijnë deri në 500 milionë euro. Projekti do të përfshinte rrugët, akomodimin, pistat e skijimit, teleferikët, si dhe renovimin dhe ndërtimin e hoteleve.
Ai paralajmëroi gjithashtu zhvillimin e qendrës turistike “Dukagjini” në Pejë, Rugovë dhe Bjeshkët e Nemuna, duke thënë se do të respektohen kërkesat për mbrojtjen e natyrës. Me grante, sipas tij, do të synohet shndërrimi i stanëve në bujtina ekologjike në Bjeshkët e Nemuna dhe në Sharr.
Kurti tha se programi “Gjenerata për gjeneratë” do të mbështesë gjyshërit pensionistë që kujdesen për nipërit dhe mbesat nga 13 deri në 36 muaj, në rastet kur të dy prindërit janë në punë. Sipas tij, gjyshërit që përfitojnë nga ky program do të marrin nga 100 euro shtesë në muaj.
Në fushën e kujdesit për fëmijët, ai tha se do të rritet përfshirja në çerdhet publike dhe do të jepen bono për prindërit që zgjedhin çerdhet jopublike.
Kurti paralajmëroi krijimin e një fondi të sigurimeve shoqërore, i cili do ta mbështesë punëtorin pas humbjes së vendit të punës dhe do të mbulojë pushimin e lehonisë dhe atë prindëror.
Në arsim, ai premtoi licencim të avancuar të mësimdhënësve në të gjitha nivelet, të shoqëruar me rritje pagash. Programi përfshin edhe zgjerimin e mësimit plotësues dhe hapjen e pesë gjimnazeve të specializuara.
Sa i përket shëndetësisë, Kurti tha se pas hyrjes në fuqi të ligjit dhe plotësimit të sistemit informativ do të funksionalizohen sigurimet shëndetësore.
Ai premtoi rritjen e buxhetit për listën esenciale të barnave deri në 100 milionë euro, ndërsa paralajmëroi edhe ndërtimin e spitaleve të reja në Mitrovicë dhe Ferizaj.
Në program është përfshirë edhe një plan për ndërtimin e pesë rezervuarëve apo liqeneve artificiale, me qëllim të adresimit të problemit të furnizimit me ujë.
Sipas Kurtit, ato do të ndërtohen në Firajë të Poshtme të Shtërpcës, Pollatë të Podujevës, Kuçicë të Skenderajt, Dragaqinë të Suharekës dhe Desivojcë të Kamenicës.
Për Lojërat Mesdhetare të vitit 2030, ai tha se do të rinovohen Pallati i Rinisë, Qendra e Studentëve, pishinat dhe palestrat, sipas standardeve ndërkombëtare. Paralajmëroi gjithashtu ndërtimin dhe rinovimin e 20 stadiumeve të futbollit, me vlerë prej 250 milionë eurosh.
Kurti tha se përmes një “dritareje për investime të diasporës” do të mbështeten deri në 100 milionë euro investime të mërgatës në Kosovë, ndërsa shteti, sipas tij, do të jetë garantues i kredive për këto investime.
Në drejtësi, ai premtoi se vettingu do të realizohet në përputhje me Kushtetutën, ndërsa Byroja për Sekuestrimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, sipas tij, do të synojë goditjen e pasurimit të paligjshëm.
Kurti tha gjithashtu se të gjitha zotimet e paraqitura në ekspozetë e mëparshme mbeten të vlefshme edhe për mandatin e ardhshëm.
Një pjesë e rëndësishme e ekspozesë iu kushtua sigurisë dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Kurti paralajmëroi mbi 1 miliard euro investime për mbrojtjen gjatë katër viteve të ardhshme, ndërsa tha se Kosova do të zhvillojë industrinë e saj ushtarake.
Sipas tij, industria ushtarake “Made in Kosova” do të fokusohet në prodhimin e municionit, dronëve, robotëve dhe teknologjive të tjera mbrojtëse. Ai tha se prodhimi i municionit pritet të nisë brenda vitit 2026, ndërsa zhvillimi i robotëve të parë tashmë ka përfunduar.
Kurti paralajmëroi edhe zgjerimin e njësive të dronëve dhe kundër-dronëve, si dhe themelimin e një Qendre Kombëtare për Menaxhim.
Në kuadër të sigurisë së kufirit dhe përballimit të kërcënimeve të larta, ai tha se do të themelohet edhe Xhandarmëria e Republikës së Kosovës, me fokus në mbrojtjen e kufirit, luftimin e terrorizmit, përballimin e rreziqeve të larta dhe mbrojtjen e infrastrukturës kritike.
Ai bëri të ditur gjithashtu se fondi për pensionim të parakohshëm të shkallëzuar të pjesëtarëve të Policisë do të nisë nga mosha 63-vjeçare dhe do të zbresë deri në 55 vjeç, por theksoi se pensionimi do të jetë i bazuar në dëshirën e vetë pjesëtarëve.
Kurti paralajmëroi rritjen e numrit të grave dhe vajzave në FSK, me synim që brenda mandatit numri i tyre të arrijë në 1 mijë, nga rreth 400 sa tha se janë aktualisht.
Ai foli edhe për një program gjithëpërfshirës vullnetar të mbrojtjes dhe për mundësinë që profesionistët me prejardhje nga Kosova, të cilët shërbejnë në ushtritë aleate, si dhe pjesëtarë nga Shqipëria, të mund të kalojnë në FSK.
Në fund, Kurti tha se bashkëpunimi me shtetet e NATO-s dhe Shtetet e Bashkuara do të përshpejtojë përgatitjet e Kosovës për anëtarësim në Aleancën Veri-Atlantike.
Kurti: Asnjë gjykatë vendore apo ndërkombëtare nuk mund ta njollosë UÇK-në
Mandatari për formimin e Qeverisë, Albin Kurti, në fjalimin e tij ka thënë se të gjithë janë në ankth para vendimit të procesit gjyqësor ndaj drejtuesve të UÇK-së në Hagë.
Ai e ka konsideruar të padrejtë dhe të pabesueshme kërkesën e prokurorisë.
Ka deklaruar se ajo është në shpërputhje me të vërtetën historike të popullit të Kosovës.
Ka thënë se asnjë gjykatë vendore a ndërkombëtare nuk mund ta njollosë UÇK-në.
“Të gjithë jemi në ankth në prag të vendimit të procesit gjyqësor ndaj drejtuesve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit e Kadri Veselit. Kërkesa e Prokurorisë është e padrejtë, e pabesueshme, në shpërputhje me të vërtetën historike të popullit tonë dhe me drejtësinë e luftës sonë çlirimtare. Qëndrimi i Qeverisë së Kosovës do të jetë i njëjtë dhe i qartë. Në Kosovë janë kryer krime kundër njerëzimit, krime lufte e gjenocid ndaj popullatës civile shqiptare. Ato janë kryer nga regjimi i Jugosllavisë së Serbisë, nën udhëheqjen e Millosheviqit. Asnjë gjykatë vendore e ndërkombëtare s’mund ta njollosë UÇK-në”, ka thënë ai.
Nis seanca për zgjedhjen e Qeverisë
Ka nisur seanca e cila pikë të vetme të rendit të ditës e ka zgjedhjen e Qeverisë Kurti 4.
Në sallë janë të pranishëm 70 deputetë, ata të LVV-së, Listës Serbe dhe disa prej komuniteteve.
Mungojnë ata të PDK-së, LDK-së dhe Aleancës.
Guri: LDK-ja s’e voton Qeverinë Kurti 4
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Paris Guri, ka thënë se deputetët e kësaj partie nuk do ta votojnë Qeverinë Kurti 4.
Guri ka folur para fillimit të seancës për zgjedhjen e Qeverisë.
“Secili deputet e ka vendin në Kuvend, për këtë arsye na ka votuar populli. Natyrisht ne nuk votojmë për Qeverinë Kurti”, tha Guri.
Ai ka thënë se nuk është planifikuar një takim mes kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe atij të LDK-së, Lumir Abdixhiku, për çështjen e presidentit.
Guri ka thënë se është e papërgjegjshme që njoftimi për seancën që mbahet në ora 14:00 ka ardhur rreth orës 13:45.
Guri ka thënë se sa i përket dakordimit mes Vetëvendosjes dhe LDK-së që Bekim Sejdiu të jetë kandidat për president konsensual, ajo marrëveshje është ende në fuqi.
PDK-ja, LDK-ja e Aleanca nuk marrin pjesë në seancën për formimin e Qeverisë
Deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës dhe ata të Aleancës nuk do të marrin pjesë në seancën për formimin e Qeverisë e cila u thirr nga ora 14.
Në seancë nuk ka marrë pjesë as LDK-ja.
Partia Demokratike para fillimit të vazhdimit të seancës konstituive ka thënë se nuk do marrin pjesë në asnjë seancë deri në një vendim të Gjykatës Kushtetuese.
Ndërkaq deputeti i Aleancës Burim Ramadani gjithashtu ka deklaruar se nuk do të marrin pjesë në këtë seancë, derisa e ka cilësuar antikushtetuese.
“Ne ofruam marrëveshje. Ata zgjodhën arrogancën. Ne ofruam zgjidhje. Ata zgjodhën krizën. Oferta jonë 6 pikëshe që nga 26 qershori ishte një mundësi dhe zgjatje dore për stabilitet e zgjidhje politike. Ata e refuzuan, sepse për ta postet janë më të rëndësishme sesa vendimet e mira për shtetin e qytetarët. Ne e konsiderojmë këtë proces jokushtetues dhe do t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese. Aleanca zgjodhi Kosovën. Ata zgjodhën pushtetin e postet. Aleanca nuk merr pjesë në grumbullimin e orës 14:00 në sallën e Kuvendit, duke e konsideruar këtë si jokushtetuese”, ka shkruar ai.
Haxhiu e mandaton Kurtin për formimin e Qeverisë
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu ka njoftuar se ka caktuar Albin Kurtin për mandatar për formimin e Qeverisë, pas propozimit të Lëvizjes Vetëvendosje.
“Në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe pas propozimit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, kam caktuar z. Albin Kurti mandatar për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Z. Kurtit i uroj sukses në ushtrimin e përgjegjësive që burojnë nga besimi i qytetarëve, si dhe në formimin sa më të shpejtë të Qeverisë, në shërbim të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj”, ka shkruar ajo.
Më herët, Arbërie Nagavci ka thënë se në cilësinë e Kryesueses së Këshillit të Përgithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje i ka dorëzuar Haxhiut propozimin për caktimin e Kurtit për mandatar për formim të Qeverisë.
“Bazuar në vullnetin qytetar të shprehur në zgjedhjet e 7 qershorit 2026 dhe në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, vazhdojmë me përgjegjësi institucionale drejt formimit të Qeverisë së re”, ka shkruar ajo.
Sot pritet të thirret seanca për formimin e Qeverisë.
Burime për KOHËN bëjnë të ditur se kryeministri në detyrë Albin Kurti do ta propozojë kabinetin qeveritar të ngjashëm me atë të mandatit të kaluar.
VV-ja propozon Kurtin për mandatar për formimin e Qeverisë
Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar kryetarin e saj, Albin Kurti, për mandatar për formimin e Qeverisë.
Propozimi i është dorëzuar ushtrueses së detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, nga Arbërie Nagavci, në cilësinë e kryesueses së Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, menjëherë pas seancës ku u konstatua i konstituuar Kuvendi.
Në dokumentin zyrtar, thuhet se propozimi bazohet në Kushtetutën e Kosovës, përkatësisht në nenin 84, pika 14, dhe nenin 95, paragrafi 1, si dhe në pikën 68 të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, të 1 korrikut 2014.
“E nderuar që, në cilësinë time si Kryesuese e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, t’ia dorëzoj Presidentes së Republikës së Kosovës propozimin për caktimin e z. Albin Kurti si mandatar për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Bazuar në vullnetin qytetar të shprehur në zgjedhjet e 7 qershorit 2026 dhe në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, vazhdojmë me përgjegjësi institucionale drejt formimit të Qeverisë së re. Faleminderit qytetarëve për besimin!” – ka shkruar Nagavci në Facebook.
