Gara 48 milionë euroshe pa pa TVSH për shërbimin e hemodializës, ku tre ditë më parë ishte shpallur fituese kompania Diaverum AB, u raportua se është anuluar. Ndërkohë përmes një reagimi në rrjetet sociale, ministrja e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu e ka cilësuar procedurën si të parregullt, por nuk e ka qartësuar nëse kjo garë është anuluar ose jo.
“Një procedurë e hapur mbrapsht”, shkruan ministrja.
Ministrja Spahiu paralajmëron se e gjithë dosja i është nënshtruar një “rishikimi të imtësishëm” dhe se me ardhjen e drejtoreshës së re, Yllka Kukalaj, e cila po sulmohet nga opozita për lidhje familjare, do të vlerësohet vetëm mbi bazën e punës.
Dhe për të mbyllur debatin e krijuar për emërimin e ri në krye të Operatorit, Spahiu shton:
“Yllka Kukalaj do të gjykohet për atë që bën në OSHISH, si çdo drejtues tjetër që do të emëroj. Me mua profesionisti vjen përpara paragjykimit dhe qytetari vjen përpara koncensionit. Prandaj Yllka Kukalaj në drejtim dhe prandaj edhe rishikimi i imët i një procedure të gjetur të hapur mbrapsht. Këtë metodë di. Për këtë metodë kam ardhur. Nga kjo metodë nuk heq dorë!”
Kujtojmë se kjo procedurë u hap nga Operatori i Shërbimit të Integruar të Sterilizimit dhe parashikonte mbulimin me dializë për 5 spitale rajonale: Shkodrën, Lezhën, Korçën, Vlorën dhe Elbasanin.
Sipas informacioneve, ditën e betimit te Presidenti, firma e parë që Spahiu ka hedhur si ministre ka qenë shkarkimi i drejtoreshës së OSHIS, Arisa Cane, vetëm 24 orë pas shpalljes së fituesit. Koncensioni aktual skadon në fillim të nëntorit.
Tenderi ndërkombëtar u hap më 17 gusht dhe u mbyll më 1 shtator, në mes të gushtit, kur është praktikisht e pamundur që një kompani serioze e huaj të përgatisë dosjen. I vetmi ofertues mbeti sërish Diaverum, kompania që bleu në 2019 ish-fituesin DiaVita.
Nëse në 2016 koncensioni 10-vjeçar u dha për 7.2 miliardë lekë, pra 720 milionë në vit, këtë herë për vetëm 4 vite u parashikuan 4.4 miliardë lekë pa TVSH, pra mbi 1.1 miliardë në vit, më shumë se 50% rritje, ndonëse fituesi nuk do të investonte asnjë pajisje, por do të merrte infrastrukturën e gatshme.
Vetëm pak ditë më parë, ish-ministrja Evis Sala deklaroi se pas tetorit shërbimin do ta merrte shteti. Po atë ditë, më 30 korrik, Këshilli i Ministrave vendosi që OSHIS të shndërrohet në OSHISH - Operator i Shërbimeve të Integruara Shëndetësore - duke përfshirë në objekt edhe dializën dhe check-up-in.
