Nis sezoni i ri shkollor, 680 nxënës më pak se një vit më parë në Korçë

Qarku i Korçës e nis vitin e ri shkollor me një tjetër rënie të numrit të nxënësve. Sipas të dhënave zyrtare, në arsimin bazë dhe të mesëm këtë vit janë regjistruar 18 mijë e 448 nxënës, 680 më pak se një vit më parë, kur numri i tyre ishte 19 mijë e 128.
Në terma përqindjeje, numri i nxënësve në qark ka shënuar një rënie prej rreth 3.6%.
Tkurrja e numrit të nxënësve vihet re edhe në klasat e para. Këtë vit janë regjistruar 52 nxënës më pak, duke sinjalizuar vijimin e tendencës së rënies së numrit të fëmijëve që nisin arsimin në Qarkun e Korçës.
Megjithatë, rënia e regjistrimeve nuk ka sjellë mbylljen e shkollave apo klasave. Sipas informacionit zyrtar, procesi i transferimit të nxënësve nga një institucion arsimor në tjetrin vijon ende, ndaj shifrat përfundimtare mund të pësojnë ndryshime.
Pavarësisht uljes së numrit të nxënësve, në qark nuk raportohet asnjë mësues pa ngarkesë mësimore. Në total, sistemi arsimor në Korçë numëron 2 mijë e 117 mësues.
Sipas të dhënave zyrtare, ndryshimet e fundit në udhëzimet për numrin e nxënësve për klasë dhe ngarkesën mësimore kanë ndihmuar në sistemimin e stafit dhe në reduktimin e rasteve të mësuesve pa ngarkesë.
Shifrat e këtij viti e rikthejnë vëmendjen te një prej problematikave më të dukshme të arsimit në Qarkun e Korçës: rënia e vazhdueshme e numrit të nxënësve, një tendencë që lidhet edhe me tkurrjen demografike të zonës.
/vizionplus.tv




