Sot nis viti i ri shkollor 2026–2027 në të gjithë vendin, me rreth 25 mijë fëmijë që ulen për herë të parë në bankat e klasës së parë.
Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, përmes një videomesazhi u ka uruar nxënësve, mësuesve dhe prindërve një vit të mbarë shkollor, duke theksuar masat për përmirësimin e infrastrukturës, rritjen e sigurisë dhe zgjerimin e aktiviteteve pas përfundimit të mësimit.
“Ne do të punojmë çdo ditë këtë vit që ju të keni kushte sa më të mira ku mësoni, laboratore, smartlabe dhe projekte ku ju mund të mësoni e shkëlqeni”, u shpreh Kumbaro.
Ministrja iu drejtua veçanërisht nxënësve të klasës së parë, duke i cilësuar ditët e para të shkollës si një moment që do ta mbajnë mend gjatë.
Ajo foli edhe për përdorimin e celularëve gjatë orarit mësimor, duke u kërkuar nxënësve të mos e shohin vendosjen e telefonave në kuti si një ndalim, por si një mënyrë për të ruajtur përqendrimin gjatë mësimit.
53 shkolla të reja ose të rehabilituara
Në kuadër të vitit të ri shkollor, 53 shkolla të reja ose të rehabilituara hapin dyert për nxënësit. Ministria e Arsimit ka bërë gjithashtu të ditur se janë miratuar edhe 39 projekte të tjera për rikonstruksionin e shkollave.
Një tjetër fokus është siguria në institucionet arsimore. Gjatë këtij viti do të jenë në shërbim të nxënësve mbi 400 oficerë sigurie, të cilët do të veprojnë sipas protokolleve dhe standardeve të përditësuara.
Paralelisht, është fuqizuar edhe shërbimi psiko-social. Rreth 900 psikologë dhe punonjës socialë do të jenë të pranishëm në shkollat e vendit për t’iu përgjigjur nevojave sociale dhe emocionale të nxënësve.
Ndërkohë, 20 shkolla në Tiranë janë përfshirë në projektin pilot “Smart City”, me masa shtesë sigurie përmes përdorimit të kamerave inteligjente.
“Pas Shkolle” shtrihet në 408 shkolla
Një prej risive kryesore të këtij viti është programi “Pas Shkolle”, i cili pas fazës pilot të zhvilluar në Tiranë gjatë vitit të kaluar, do të shtrihet tashmë në 408 shkolla në të gjithë Shqipërinë.
Në javët e para të vitit shkollor, nxënësit dhe prindërit do të informohen për mënyrën e funksionimit të programit dhe do të mund të zgjedhin klubet ku dëshirojnë të marrin pjesë.
Aktivitetet përfshijnë artin, muzikën, teatrin, sportin, zejet dhe fusha të tjera. Për organizimin e tyre është hapur edhe thirrja për trajnerë, ku mund të aplikojnë mësues, mësues në pension, artistë, artizanë dhe profesionistë të fushave përkatëse.
Ministrja Kumbaro u ka uruar nxënësve një vit me arritje në mësime dhe kreativitet në aktivitetet jashtë orarit mësimor.
Rreth 1200 nxënës kalojnë nga privatet në shkollat publike
Sipas të dhënave paraprake të Ministrisë së Arsimit, rreth 1200 nxënës janë transferuar këtë vit nga shkollat jopublike në ato publike.
Sipas ministrisë, kjo prirje tregon një rritje të besimit të familjeve te cilësia dhe mundësitë që ofron sistemi publik i arsimit.












