E hënë, 14 Shtator 2026 7 PA 5 Live deri në 09:00 Në vijim ora 09:00: Mes'dritë Live Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Vendi

Nis shkolla, Kumbaro prezanton risitë në “7pa5”: Celularët ndalohen nga klasa e parë deri në maturë, si funksionon “Pas Shkolle”

Ilustrim · Vizion Plus

Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, e ftuar në emisionin “7pa5” në Vizion Plus, ka folur për nisjen e vitit të ri shkollor 2026–2027, investimet në arsim dhe risitë që sjell ky vit për nxënësit dhe mësuesit.

“Këtë vit e nisim me një entuziazëm. Kemi qenë në një komunikim intensiv gjatë gjithë gushtit me skuadrën e mësuesve dhe më vjen mirë që e nisim me investime të reja”, u shpreh Kumbaro.

Sipas ministres, këtë vit janë 53 institucione të reja arsimore, të ndërtuara ose të rehabilituara, ndërsa ka nisur puna edhe për 39 institucione të tjera.

Një prej risive kryesore të këtij viti është shtrirja e programit “Pas Shkolle” në 408 shkolla në të gjithë vendin.

“Sivjet kalojmë nga faza pilot në shtrirjen e programit ‘Pas Shkolle’. Zgjatja e qëndrimit të fëmijëve në shkollë përtej orës së detyruar bëhet në 408 shkolla. Kemi marrë parasysh kërkesat e prindërve”, tha ministrja.

Kumbaro sqaroi se programi nuk është i detyrueshëm për nxënësit.

“Nuk është program i detyruar, është një ofertë për fëmijët dhe prindërit për t’i ndihmuar me detyrat e shtëpisë dhe aktivitete të tjera. Shkurton varësinë ndaj ekraneve”, u shpreh ajo.

Për organizimin e aktiviteteve pas mësimit, ministrja bëri të ditur se është hapur edhe thirrja për trajnerë, ndërsa laboratorët inteligjentë do të vijojnë të përdoren si pjesë e zhvillimit të aftësive të nxënësve.

Një tjetër ndryshim i rëndësishëm lidhet me përdorimin e celularëve në shkolla. Kumbaro tha se nga klasa e parë deri në maturë, përdorimi i telefonave do të ndalohet gjatë orarit shkollor.

“Do të ndalohet totalisht celulari. Do të dorëzohet në vendin e përcaktuar në mëngjes dhe do të merret kur të largohen. Kjo është taksative”, deklaroi ministrja.

Sa i përket inteligjencës artificiale, Kumbaro tha se edhe pse ajo nuk është pjesë e programit mësimor, përdorimi i saj nga nxënësit dhe mësuesit është një realitet.

“Pavarësisht se AI nuk është pjesë e programit, përdoret si nga mësuesit dhe nga nxënësit në mënyrë të pavarur nga programi shkollor. Është përgatitur një udhëzues se si dhe sa mund ta përdorin nxënësit”, tha ajo.

Ministrja foli edhe për trajnimin e stafit pedagogjik, duke bërë të ditur se rreth 30 mijë mësues janë trajnuar.

“30 mijë mësues janë trajnuar. Këta mësues kanë edhe vlerësimet e tyre. Programi është i njëjtë, kemi 1400 shkolla në gjithë territorin”, deklaroi Kumbaro.

Duke u ndalur te roli i mësuesit, ministrja theksoi rëndësinë e komunikimit me nxënësit që në ditën e parë të shkollës.

“Figura e mësuesit nis nga paraqitja dhe mënyra e komunikimit. Sot është ditë komunikimi, ditë kur nxënësit njihen me mësuesit. Ambientimi është po aq moment komunikimi”, u shpreh Kumbaro.

/vizionplus.tv

03:12Video · nga programiShpjegimi në “7 pa 5”
Xhuljana Zhuleku
Gazetar/e · Vizion Plus · Redaksia e Vizion Plus.
Të gjithë artikujt

Vazhdo të lexosh

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.