Filmi “Një filxhan kafe dhe këpucë të reja”, i Gentjan Koçit u shpall fitues i edicionit në një garë ku morën pjesë dhjetëra produksione shqiptare dhe bashkëprodhime
Tirana u kthye në qendrën e kinematografisë shqiptare (3-12 shtator) me rreth 220 filma të prodhuar nga viti 2012 e deri më sot, të cilët u shfaqën në katër hapësira: Universitetin e Arteve, Kinemanë “Agimi”, Piramidën e Tiranës dhe “Film Zone” në sheshin “Nënë Tereza”. Pavarësisht mendimeve dhe kritikave, drejtori Ilir Butka, ashtu si shumë artistë e konsideruan sukses jo thjesht rikthimin e festivalit të filmit, por më tepër se kaq, interesin që zgjoi te publiku i gjerë.
Pas 14 vitesh mungesë, Festivali i Filmit Shqiptar mbylli edicionin e tij të 14-të, duke sjellë në kryeqytet për dhjetë ditë radhazi emrat më të spikatur të kinematografisë shqiptare si dhe një numër të madh produksionesh kinematografike.
Ndarja e çmimeve, Tinka Kurti mes aktorëve të vlerësuar nga festivali
Mbrëmja gala, në të cilën merrnin pjesë protagonistë, artistë dhe artdashës të shumtë, shënoi kulmin e këtij edicioni, me ndarjen e çmimeve.
- Çmimi kryesor i festivalit, Kupa e Festivalit të Filmit, iu dha filmit “Një filxhan kafe dhe këpucë të reja”, i realizuara nga Gentjan Koçi.
- Çmimi për Aktoren më të Mirë iu dha Adriana Matoshit, për interpretimin e saj në filmin “Luna Park”.
- Çmimi për Aktorin më të Mirë shkoi për Blerim Destanin, për rolin e tij në filmin “Amsterdam Express”.
- Çmimi për producentët më të mirë iu dha Dritan Huqit dhe Vllojca Dedej, duke vlerësuar kontributin e tyre në realizimin dhe promovimin e produksioneve kinematografike.
- Çmimi për regjisorin më të mirë shkoi për Gjergj Xhuvanin, një prej emrave më të njohur të kinematografisë shqiptare.
- Çmimi i Karrierës iu dha ikonës së kinematografisë dhe teatrit shqiptar, Tinka Kurti, në nderim të kontributit të saj të jashtëzakonshëm ndër vite.
Drejtori Butka: "Karakteri demokratik", madhështia e filmit
Në një vend demokratik, të gjithë kanë të drejtën e fjalës, kritikës, mospajtimit, apo të kontestimit. Organizatorët e filmit i thanë “MAPO.al” se duke respektuar çdo mendim, misioni i tyre është i qartë; të bëjnë atë çka është më e mundshmja dhe e duhura për filmin.
Gjatë dhjetë ditëve të festivalit, sipas organizatorëve, rreth 20 mijë shikues ndoqën filmat dhe aktivitetet e festivalit në hapësirat e ndryshme të Tiranës.
Ilir Butka, drejtori i festivalit të filmit për MAPO përmendi si sukses jo vetëm rikthimin e festivalit por edhe pritjen e veçantë nga punliku.
“Kryeqyteti është mbështjellë nga magjia e artit të shtatë, duke u kthyer në epiqëndrën e festës më të madhe të kinematografisë vendase përmes Festivalit Kombëtar të Filmit Shqiptar. Kjo ngjarje madhore solli një mozaik mahnitës me mbi njëqind produksione që dëshmuan gjallërinë e krijimtarisë sonë kinematografike. Në këtë edicion, ekrani i madh ndriçoi me tridhjetë e nëntë filma të gjatë artistikë, ku përfshihen dymbëdhjetë vepra të autorëve me karrierë të konsoliduar, katërmbëdhjetë mendi debutuese që shënuan hapin e parë të një brezi të ri kineastësh, si dhe trembëdhjetë filma që u shfaqën jashtë konkurrimit zyrtar. Tridhjetë filma të shkurtër, tetë dokumentarë të thelluar, njëmbëdhjetë filma të animuar me fantazi të gjallë, si dhe pesëmbëdhjetë projekte të programit special, të cilat, meqenëse nuk financohen nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë, mbetën jashtë garës për çmimet” theksoi drejtori Ilir Butka.
“Për të përthithur ritmin e ngjeshur artistik,” - sqaroi Butka, - “festivali u shtri në katër nga hapësirat më ikonike kulturore të Tiranës: Salla e Madhe dhe salla Black Box në Akademinë e Arteve, si dhe kinematë historike Agimi e Piramida. Çdo ditë, këto salla u shndërruan në strehë emocionale përmes pesë sloteve kohore të njëpasnjëshme.”
Juria e filmit të gjatë ishte e përbërë nga Bogdan Mureşanu, Blerta Zeqiri, Haig Zaharian, Raimonda Bulku dhe Ylljet Aliçka; filmi i shkurtër mirëprriti vlerësimet nga Erenik Beqiri, Harvey Ascott dhe Virxhil Muçi; dokumentari u shqyrtua nga Esat Teliti, Fabrizio Bellomo dhe Përparim Kabo; ndërsa filmi i animuar i është besuar Agron Mesit, Rikarda Novës dhe Ilir Kasos. Së bashku, ata ndanë njëmbëdhjetë çmimet kryesore artistike. Paralelisht, një shtyllë e dytë vlerësimi ngrihet nga vetë komuniteti përmes Akademisë së Filmit, me mbi dyzet kineastë që votojnë online për pesëmbëdhjetë çmime teknike e profesionale. Shtylla e tretë i përket vetë artdashësve, të cilët përmes fletëve tradicionale apo skanimit të kodeve QR në dalje të sallave, përzgjedhin pesë çmimet e tyre të preferuara.
Ajo që e bëri këtë edicion vërtet madhështor, siç tha drejtori Butka, ishte karakteri i tij demokratik dhe përfshirës. Përmes një programimi të kuruar me kujdes, festivali shpërfaqi një programacion të gjërë ku çdo grupmoshë gjeti interesin specifik.
“Festivali Kombëtar i Filmit në një udhëtim emocional ku askush nuk mbetet thjesht vëzhgues, por bëhet pjesë e pandashme e historisë së këtij eventi të jashtëzakonshëm kinematografik” u shpreh Butka. /mapo/
Lini një Përgjigje