E hënë, 14 Shtator 2026 Mes'dritë Live deri në 12:00 Në vijim ora 12:00: Lajme Ora 12:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Rajoni

Kishte dalë nga burgu me leje dhe duhej të kthehej sot, Alket Rizai përfshihet në një konflikt me armë dhe “zhduket”, policia greke e shpall në kërkim

Ilustrim · Vizion Plus

Alket Rizai nuk u kthye të hënën në mëngjes në burgun e Domokos, në Greqi, siç e kishte detyrim pas përfundimit të lejes së dhënë, dhe tashmë po kërkohet sërish si i arratisur. Ndërkohë, ai është në qendër të hetimeve për një incident me të shtëna armësh jashtë një beach bar-i në Anavisos, në orët e para të së dielës.

Policia greke ka nisur një operacion për gjetjen e 48-vjeçarit, ndërsa hetuesit po përpiqen të rindërtojnë lëvizjet e tij pas incidentit me armë zjarri.

Në kuadër të hetimeve janë arrestuar edhe dy persona. Sipas informacioneve të autoriteteve, në pranga ka rënë pronari 41-vjeçar i beach bar-it, i cili akuzohet për dëshmi të rreme, favorizim të një personi të kërkuar, pengim të drejtësisë, si dhe për nxitje morale të mbajtjes dhe përdorimit të paligjshëm të armës.

Është arrestuar gjithashtu bashkëshortja e tij, 39 vjeçe, e cila akuzohet për dëshmi të rreme.

Nga përplasja mbetën të plagosur dy persona, një 20-vjeçar grek dhe një 41-vjeçar me origjinë pakistaneze.

Si nisi përplasja

Autoritetet po hetojnë për të zbardhur se çfarë ndodhi saktësisht jashtë lokalit, kush nxori armën, kush qëlloi i pari dhe nëse pati shkëmbim zjarri.

Sipas informacioneve paraprake, gjithçka nisi pasi muzika në beach bar u ndërpre për shkak të orarit të vonë. Rizai ndodhej fillimisht brenda lokalit me shoqërinë e tij, por më pas grupi doli jashtë.

Rizai dyshohet se shkoi drejt automjetit të tij bashkë me disa persona dhe vendosi muzikë me volum shumë të lartë. Pronari i lokalit doli jashtë për t’i bërë vërejtje, duke shkaktuar një debat të ashpër.

Situata u përshkallëzua shpejt, ndërsa klientë dhe punonjës të lokalit dolën jashtë për të parë se çfarë po ndodhte.

Në atë moment, sipas të dhënave të deritanishme, Rizai dyshohet se nxori një armë. Hetuesit po shqyrtojnë mundësinë që ai të ketë qëlluar, me gjasë në ajër, por sekuenca e saktë e të shtënave ende nuk është përcaktuar.

Më pas, në konflikt dyshohet se u përfshi edhe një shtetas afgan, i cili, sipas informacioneve, kishte lidhje me sigurinë e beach bar-it. Ai dyshohet se është thirrur për të ndërhyrë pasi situata kishte dalë jashtë kontrollit dhe, sipas të njëjtave burime, ka qëlluar në drejtim të Rizaít.

Në vendngjarje janë gjetur gëzhoja dhe gjurmë gjaku, të cilat janë dërguar për ekzaminim kriminalistik. Gjendja dhe dëshmitë e dy personave të plagosur janë gjithashtu pjesë e rëndësishme e hetimit.

Rizai shpallet sërish në kërkim

Alket Rizai kishte dalë nga burgu i Domokos me leje dhe duhej të kthehej në institucionin e vuajtjes së dënimit të hënën në mëngjes. Me kalimin e afatit dhe mosparaqitjen e tij, autoritetet e kanë shpallur sërish në kërkim si të arratisur.

Policia po merr në pyetje dëshmitarët që ndodheshin në zonë dhe po mbledh pamjet e kamerave të sigurisë, me qëllim rindërtimin minutë pas minute të ngjarjes dhe përcaktimin e rolit të secilit prej personave të përfshirë.

Alket Rizai, 48 vjeç, është një emër i njohur për autoritetet greke. Ai është i dënuar për vepra të rënda penale dhe është bërë i njohur veçanërisht për dy arratisje spektakolare nga burgjet greke me helikopter, në vitet 2006 dhe 2009, së bashku me të dënuarin Vasilis Paleokostas.

Xhuljana Zhuleku
Gazetar/e · Vizion Plus · Redaksia e Vizion Plus.
Të gjithë artikujt

Vazhdo të lexosh

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.