Edhe në Durrës nis viti i ri arsimor , por jo të gjitha institucionet arsimore hapin dyert për nxënësit. Disa prej tyre vijojnë të jenë në proces rikonstruksioni apo rindërtimi, ndërsa mësimi do të zhvillohet në shkolla pritëse ose do të nisë me vonesë.
Një prej tyre është shkolla 9-vjeçare “Bajram Curri”, ku punimet e rikonstruksionit vijojnë ende.
Për të shtatin vit radhazi, nxënësit e gjimnazit “Gjergj Kastrioti” do t’i zhvillojnë mësimet në shkollën pritëse “Marie Kaçulini”. Godina e gjimnazit u shemb pas dëmtimeve të shkaktuara nga tërmeti i vitit 2019, ndërsa në truallin e saj u zbulua një sit i rëndësishëm arkeologjik. Rindërtimi i shkollës pritet të nisë së shpejti.
Numri total i nxënësve në Durrës është 26 mijë.
Në klasat e para janë ulur në bankat e shkollës 1900 nxënës ndërsa në klasat e 10 janë 2050 nxënës
Ndërkohë, krahasuar me vitin e kaluar shkollor, në Durrës vihet re një ndryshim i moderuar i numrit të nxënësve, çka është reflektuar edhe në organizimin e disa klasave në arsimin fillor dhe të mesëm.
Nga ajo çfarë Syri TV ka vëzhguar në terren, shkolla e Fllakës, 70 nxënës janë transferuar pranë shkollës në Qerret, 'Artan Zeka', ku plehrat dhe kanalet e mbuluara nga ferrat ishin kthyer në vatra infeksioni.
Ndërsa në shkollën e Fllakës, 18 fëmijët vazhdonin kopshtin normalisht, dhe pse shkolla ishte e amortizuar, me xhama të thyer, me mure të rëna, ku fëmijëve u rrezikohej jeta çdo minutë.
Risia e këtij viti shkollor në Durrës është programi “Pas shkolle”, i cili do të zbatohet në 26 shkolla 9-vjeçare dhe të mesme të bashkisë. Programi synon t’u ofrojë nxënësve aktivitete pas përfundimit të mësimit, ndërsa regjistrimi do të kryhet nga prindërit përmes platformës digjitale SMIP.
Në program do të angazhohen mësues nga stafet pedagogjike të shkollave, mësues të përzgjedhur përmes portalit “Mësues për Shqipërinë”, si edhe ish-mësues në pension.

© SYRI.net