web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Drejtësia shqiptare dhe katër të vërtetat që askush s'i thotë bashkë

14 Shtator 2026, 09:41, Editorial CNA

Drejtësia shqiptare dhe katër të vërtetat që askush

Për drejtësinë shqiptare qarkullojnë sot dy narrativa të gatshme. Njëra flet për "Republikë gjyqësore" që ka abdikuar pushtetin politik; tjetra, e amplifikuar deri në shtypin amerikan, për "luftë ligjore" kundër të zgjedhurve të popullit. Secila mban në dorë vetëm gjysmën e së vërtetës që i leverdis. Por e vërteta e plotë ka katër pjesë, dhe asnjë palë nuk del e paprekur prej saj. Le t'i themi bashkë njëherë.

E vërteta e parë: krizën e nisi pushteti politik, jo gjyqësori

Kronologjia nuk njeh retorikë. Në shkurt, Gjykata Kushtetuese, me vendimin nr. 15/2026, shfuqizoi formulën e pagave të magjistratëve si të papajtueshme me nenin 138 të Kushtetutës dhe i la Kuvendit afat deri më 31 korrik për një formulë të re. Kuvendi nuk veproi. Neni 132 i Kushtetutës nuk lë vend interpretimi: vendimet e Gjykatës Kushtetuese kanë fuqi detyruese të përgjithshme dhe janë përfundimtare. "Vakuumin kushtetues" që denoncohet sot nuk e krijoi gjyqësori, e krijoi mosveprimi i atyre që sot ankohen për të. Gjithçka që pasoi është pasojë, e diskutueshme secila më vete, por pasojë.

E vërteta e dytë: gjyqësori gaboi në përgjigjen e tij

Paga e gjyqtarit është garanci kushtetuese e pavarësisë, jo privilegj. Por mënyra si sistemi veproi për ta ekzekutuar ngre një problem dymijëvjeçar: askush nuk mund të jetë gjyqtar në çështjen e vet. Gjyqtarë që gjykojnë çështjen e xhepit të tyre, padi që shqyrtohen nga kolegët e paditësve, dhe një sistem që lëviz brenda javësh për interesin e vet financiar, ndërsa qytetarin e lë të presë dhjetë e pesëmbëdhjetë vjet për një vendim, ky kontrast nuk mbrohet dot, dhe ata që përpiqen ta mohojnë i bëjnë sistemit më shumë dëm se kritikët e tij.

E vërteta e tretë: paraburgimi në Shqipëri është problem real...

Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut, në nenin 5, e trajton paraburgimin si përjashtim që duhet justifikuar rast pas rasti, jo si rregull. Në Shqipëri, me një nga përqindjet më të larta në Europë të të burgosurve në pritje të gjykimit dhe me rinovime masash që shpesh arsyetohen me formula të gatshme, përjashtimi është kthyer në praktikë standarde. Ky është deficit real i sistemit dhe ekspozim real para Strasburgut. Kush e do drejtësinë e re, duhet ta thotë këtë pa hezitim.
...por, rasti që e kanë bërë simbol është simboli i gabuar.

Dhe pikërisht këtu narrativa e "luftës ligjore" tradhton vetveten. Rasti që lobimi ndërkombëtar e ka zgjedhur si dëshmi, kryebashkiaku i mbajtur mbi një vit e gjysmë "pa vendim gjyqësor", është prej më shumë se një viti në gjykim themeli. Dhe vonesat atje kanë adresë të dokumentuar: mosparaqitje të përsëritura të të pandehurit në seanca, kërkesa shtyrjesh nga mbrojtja, deri në gjobitjen e vetë avokatit mbrojtës nga gjykata për zvarritje procesi dhe caktimin e një mbrojtëseje kryesisht që gjykimi të ecë. Jurisprudenca e Strasburgut është e qartë në parim: vonesat që i atribuohen vetë të pandehurit dhe mbrojtjes së tij nuk i ngarkohen shtetit. Kush e prodhon vetë zvarritjen, nuk mund ta paraqesë pastaj kohëzgjatjen si provë persekutimi. Kjo nuk e heq detyrimin e gjykatave për ta rijustifikuar masën në themel sa herë e shqyrtojnë, por e zhvendos peshën e argumentit atje ku e vendosin faktet, jo op-ed-et e paguara.

Konvergjenca që duhet parë

Vini re tani kush i artikulon këto kritika dhe si. Teza e "Republikës gjyqësore" nuk vjen nga akademia, vjen nga zëra me interes të drejtpërdrejtë në proceset që kritikojnë, nga lobim i paguar që i shet audiencës amerikane krahasime mes Tiranës dhe Uashingtonit, dhe nga një klasë politike që e votoi reformën në 2016 me duartrokitje dhe e zbuloi "të dështuar" vetëm kur drejtësia i trokiti në derë. Elitat tona, që nuk merren vesh për asgjë, kanë gjetur një pikë konvergjence: drejtësia e re u bë e rrezikshme. E vetmja gjë e përbashkët mes tyre është se të gjithë kanë çështje. Rruga për kë beson vërtet se reforma dështoi është kushtetuese, propozim, debat, votë. Minimi nga brenda, me moszbatime e fushata delegjitimimi, nuk është opinion: është gërryerje e shtetit të së drejtës.

Testi

Reformat nuk humbasin me grusht shteti; humbasin me gërryerje, një vendim i pazbatuar që normalizohet, një hiperbolë që përsëritet derisa bëhet e vërtetë, një përjashtim që bëhet praktikë. Por edhe drejtësia nuk mbrohet me heshtje ndaj gabimeve të veta: mbrohet kur zbaton ndaj vetes standardin që u kërkon të tjerëve, shpejtësi për qytetarin siç pati për pagat e veta, kursim në paraburgim siç kërkon Konventa, vetëpërmbajtje aty ku preket interesi i saj.

Kjo betejë nuk vendoset as në Uashington, as në editoriale për "abdikime". Vendoset në heshtje, çështje pas çështjeje, nga gjyqtarë, prokurorë e avokatë që zgjedhin ose jo standardin edhe kur u kushton.
Se reforma, në një pjesë, ka dështuar tashmë: qytetari pret më gjatë se para saj. Ajo që arriti është një gjë e vetme, por e madhe, ligji sot troket edhe në dyert e larta. Beteja e sotme vendos pikërisht këtë: a do të mbetet ajo e vetmja arritje, apo do të humbasë edhe ajo dhe të na mbeten vetëm dështimet./CNA





Lajmet e fundit nga