AKTUALITET /

161 mijë $ për nënë Filen dhe djalin, gazetari: "Brandon Forever 22 Legacy" bëri vetëm mobilimin dhe pagoi trajtimin

Osman Stafa tha se shoqata që grumbulloi ndihmat për nënë Filen dhe djalin e saj ka bërë vetëm mobilimin e banesës dhe ka paguar një kontratë për trajtimin e djalit autik, trajtim që vijon prej 2 muajsh me nga 1200 euro në muaj.

Shkruar nga Versus

161 mijë $ për nënë Filen dhe djalin, gazetari:

Gazetari Osman Stafa publikoi një video lidhur me rastin e “GoFund me” të hapur për zonjën File Bulku dhe djalin e saj me autizëm, pasi nuk është bërë transparencë me shumën prej 161 mijë dollarësh.

Stafa tha se shoqata Brandon Forever 22 Legacy e themeluar nga Manjola Kuqi e cila ndërmori nismën në platformën “GoFund Me” dhe menaxhon paratë e mbledhura nga shqiptarët, ka bërë vetëm mobilimin e shtëpisë, ndërsa rikonstruksioni është bërë me shpenzimet e një kompanie private që nuk dëshiron të përmendet.

Më tej gazetari theksoi se është lidhur edhe një kontratë me shoqatën “Lumturo Dhimbjen” për trajtimin e Andit i cili vuan nga çrregullimi i spektrit të autizmit duke sqaruar se pagesa mujore për këtë trajtim është 1200 euro. Në këtë situatë, gazetari shtron pyetjen për destinacionin e parave të tjera të mbledhura dhe kërkon nga shoqata transparencë totale dhe publikimin e faturave.

“Shtëpia është e rikonstruktuar nga një kompani private që nuk kërkon të bëhet publike emri i saj dhe nga paratë që janë hedhur nga shqiptarët, kompania nuk ka marrë asnjë qindarkë, pra e ka bërë vetë. Ajo çfarë ka bërë shoqata Brandon Forever 22 Legacy është mobilimi i shtëpisë. Pra kostot e mobilimit ata i kanë marrë nga shqiptarët për të përballuar këtë nevojë. Pra rikonstruksioni bëhet nga një kompani private që nuk merr para nga paratë e mbledhura të shqiptarëve dhe mobilimi bëhet me paratë e shqiptarëve. Nevoja e dytë e nënë Files ka qenë trajtimi që duhet të bëjë Andi me autizëm i cili gjatë gjithë jetës nuk ka marrë asnjë trajtim. Shoqata Brandon Forever ka lidhur një marerëveshje me një qendër që ofron trajtime për autizmin, qëndra ‘Lumturo Dhimbjen”. Në bazë të marrëveshjes, paguhen në muaj 1200 euro. Shuma e mbledhur nga Shqiptarët është në total 161 mijë dollarë. Shuma e cila ka shkuar tek llogaria bankare e Brandon shkon në 155 mijë dollarë, e konvertuar në lekë është 123 milionë lekë, pra nuk janë euro. Qendra Brandon forever ka detyrim publik të bëjë të ditur se çfarë ndodh me 123 milionë lekë duke bërë publike faturat për mobilimin, sa para parashikohet të marrë trajtimi dhe çfarë ndodh me pjesën tjetër të parave, pra se si e merr shumën tjetër nënë Filja. Duhet bërë transparencë totale se ku shkojnë paratë e shqiptarëve”- tha Stafa.

Sa i takon videos së publikuar nga shoqata me zonjën File Bulku, gazetari tha se duhet vetëm të ketë transparencë të plotë pasi shqiptarët nuk bazohen më tek fjalët.

“Nuk e kuptoj se përse kjo qendër nuk publikon faturat, kostot e mobilimit të shtëpisë dhe kostot mujore që duhen paguar për trajtimin e djalit. Kjo është forma më e mirë e transparencës, të tjerat pastaj janë fjalë, nuk binden shqiptarët duke thënë se ne po i ndihmojmë”- shtoi ai. Versus.al

Poll