Nga qelia presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka përcjellë një mesazh urimi për të gjithë nxënësit, mësuesit dhe prindërit në këtë fillim të vitit të ri shkollor.
Por, përtej urimit Meta ka nënvizuar problematikat e thella me të cilën përballet arsimi për shkak të keqqeverisjes Rama. “Nënfinancim të theksuar, mungesë investimesh, kushte të këqija dhe paga të ulëta për mësuesit”
Meta i referohet edhe rezultateve ndër vite të testit PISA, ‘dëshmi të gjendjes alarmante të arsimit shqiptar’
Kreu i Partisë së Lirisë kërkon që arsimi të financohet me të paktën 5% të PBB-së dhe që pagat e arsimtarëve të dyfishohen.
Për Partinë e Lirisë, arsimi është një nga 5 Prioritetet Kombëtare për një Shqipëri më të fortë, më të zhvilluar dhe me 4 milionë shqiptarë plus!
Postimi
Urime të përzemërta për një vit të ri shkollor sa më të mbarë dhe të suksesshëm për të gjithë nxënësit, mësuesit dhe prindërit shqiptarë!
Një urim i veçantë shkon për vogëlushët që sot ulen për herë të parë në bankat e shkollës dhe nisin rrugëtimin e bukur drejt dijes, ëndrrave dhe së ardhmes së tyre.
Por, përtej urimeve, arsimi ynë përballet me problematika të thella, nënfinacim të theksuar, mungesë investimesh, kushte skandaloze, paga mizerabël për mësuesit dhe gjithnjë e më shumë shkolla me më pak nxënës e banka bosh, si pasojë e shpopullimit.
Rezultatet ndër vite të testit PISA janë një tjetër dëshmi e gjendjes alarmante ku ndodhet arsimi shqiptar.
Shqipëria nuk mund të ketë një të ardhme të sigurt pa një arsim të fortë, cilësor dhe të denjë.
Prandaj, ne besojmë se arsimi duhet të financohet me të paktën 5% të PBB-së dhe se pagat e të gjithë arsimtarëve duhet të dyfishohen, për t’u dhënë atyre dinjitetin, sigurinë dhe vlerësimin që meritojnë.
Për Partinë e Lirisë, arsimi është një nga 5 Prioritetet Kombëtare për një Shqipëri më të fortë, më të zhvilluar dhe me 4 milionë shqiptarë plus!
© SYRI.net