Rajoni

PDK-ja çon në Kushtetuese konstituimin e Kuvendit të Kosovës!

Partia Demokratike e Kosovës dërgoi në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së konstituimit të Kuvendit, përfshirë zgjedhjen e kryetares dhe nënkryetarëve të Kuvendit.

Përfaqësuesit e PDK-së, Arian Tahiri, Përparim Gruda dhe Faton Fetahu, thanë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese duhet të merret sa më shpejt, me arsyetimin se vendimet e institucioneve të dala nga një Kuvend që, sipas tyre, nuk është konstituuar në përputhje me Kushtetutën, mund të prodhojnë pasoja juridike dhe institucionale.

Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, tha se kërkesa përfshin vlerësimin e kushtetutshmërisë së konstatimit për konstituimin e Kuvendit, zgjedhjen e kryetares, mënyrën e zgjedhjes së nënkryetarëve dhe votimin e tyre.

Ne besojmë dhe në vazhdimësi kemi folur me respekt dhe me besim për punën, profesionalizmin e Gjykatës Kushtetuese, andaj edhe sot flasim me vlerësim e besim dhe konsiderojmë që është imediate, shumë e rëndësishme që të merret vendimi sa më parë në mënyrë që të mos prodhohen dëme e situata me të rënda në kuptimin juridik, institucional.

Po ashtu, pretendoi se edhe Qeveria e zgjedhur nga Kuvendi mund të marrë vendime të jashtëligjshme, nëse konstituimi i Kuvendit konstatohet se ka qenë në kundërshtim me Kushtetutën.

Për të gjitha këto ne do t’i drejtohemi Gjykatës për secilin vendim të jashtëligjshëm në mënyrë që vendi të kthehet në binarë kushtetues dhe të respektohen institucionet, të respektohet akti më i lartë juridik i vendit – Kushtetuta e Republikës së Kosovës.

Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, tha se sipas Kushtetutës dhe aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi duhej të konstituohej jo më larg se më 8 gusht.

Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje kishte përcaktuar më pas 6 shtatorin si afat politik për përfundimin e procesit, por as ky afat, sipas Grudës, nuk u respektua.

Kur ajo shkeli një afat kushtetues dhe një afat të vendosur vetë politikisht, ne ishim në pozitë të vështirë. Megjithatë vendosëm të shkojmë në dy seanca: me 9 shtator dhe me 11 shtator. Por as kjo nuk u respektua.