Bota

Trump-Zelensky/t: Ndalni sulmet ndaj naftës ruse!

Presidenti amerikan, Donald Trump i ka kërkuar sërish presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky të ndalë sulmet ndaj infrastrukturës ruse të naftës, ndërsa Rusia vijon bombardimet në Ukrainë.

Ka plot shënjestra të tjera. Mos e goditni naftën, deklaroi Trump gjatë vizitës në Irlandë, duke përsëritur thirrjen për ndalimin e këtyre sulmeve.

Kërkesa e tij vjen pak ditë pas vizitave në Kiev dhe Moskë të të dërguarve amerikanë Steve Witkoff e Jared Kushner, në përpjekje për të afruar palët drejt një marrëveshjeje. Megjithatë, në terren nuk ka shenja për ulje të tensioneve, pasi Rusia vazhdon goditjet ndaj infrastrukturës civile, energjetike dhe logjistike të Ukrainës.

Ndërkohë, Kievi po kundërpërgjigjet me dronë me rreze të gjatë, duke goditur objektiva energjetike dhe ushtarake brenda territorit rus.

Këto sulme, Ukraina i quan “sanksione me rreze të gjatë”, me synimin për të kufizuar të ardhurat e Moskës nga energjia. Tensionet u rritën edhe më tej më 13 shtator, kur dronët rusë goditën pranë kufirit me Poloninë, duke dëmtuar një pikë karburanti dhe një tren pasagjerësh në rajonin e Volinit.

Autoritetet polake ngritën alarmin dhe zëdhënësi i forcave të armatosura deklaroi se “kërcënimi për Poloninë ishte real”, edhe pse nuk u raportua shkelje e hapësirës ajrore.

Paralelisht, Rumania raportoi hyrjen e një droni në territorin e saj, ndërsa Lituania mbylli përkohësisht aeroportin e Vilniusit dhe ngriti avionët e NATO-s pas një alarmi për një dron të dyshuar.

Ministri i Jashtëm ukrainas, Andriy Sybiha e cilësoi sulmin pranë kufirit polak si “terror të Putinit” që po troket në dyert e Bashkimit Evropian dhe NATO-s, duke kërkuar sanksione më të forta ndaj Moskës.