Nafta në “flakë”, Brent mbi 108 dollarë për fuçi, frikë për furnizimet globale pas sulmeve me dronë

Çmimi i naftës ka shënuar një tjetër rritje në tregjet ndërkombëtare. Brent-i ka kaluar mbi 108 dollarë për fuçi, niveli më i lartë i katër muajve të fundit, ndërsa gjatë javës së kaluar çmimi u rrit me më shumë se 9%.
Rritja e fundit lidhet me shqetësimet për furnizimin global me naftë, pas sulmeve me dronë dhe pezullimit të funksionimit të tubacionit East-West në Arabinë Saudite.

Arabia Saudite pezulloi funksionimin e tubacionit East-West pas sulmeve me dronë të së enjtes. Deri tani nuk ka një afat të qartë se kur do të rifillojë transporti përmes tij, duke shtuar pasigurinë në tregje.
Tubacioni alternativ ndaj Hormuzit
East-West është një infrastrukturë strategjike për transportin e naftës në rajon, pasi mundëson dërgimin e naftës bruto drejt porteve të Detit të Kuq, duke shmangur Ngushticën e Hormuzit.
Tubacioni ka një kapacitet prej rreth 7 milionë fuçi naftë në ditë, çka e bën atë veçanërisht të rëndësishëm në rast të problemeve të zgjatura me lundrimin përmes Hormuzit.
Ndërkohë, janë shtyrë bisedimet mes Iranit dhe disa vendeve të Gjirit Persik për krijimin e një korridori të përkohshëm lundrimi përmes Ngushticës së Hormuzit.
Lajmi u bë i ditur nga ministri i Jashtëm i Omanit, Badr al-Busaidi, i cili nuk përcaktoi një datë të re për zhvillimin e negociatave.




