“Nuk doja të largohesha, ika duke qarë”, Fjodora Fjora rikthehet në “Vizion Plus”: Erdha në shtëpinë time

Shumë shpejt pasditet në ekranin shqiptar do të kenë një tjetër ritëm. Pas një mungese disa-vjeçare, Fjodora Fjora rikthehet në Vizion Plus, ekranin që ajo e quan “shtëpinë e saj” dhe ku ka ndërtuar një pjesë të rëndësishme të karrierës.
E ftuar në emisionin “Mes’dritë”, nën moderimin e Alma Çelajt, moderatorja e njohur foli për rikthimin e saj dhe emocionet që e shoqërojnë këtë moment.
“Faleminderit nga zemra që më rikthyet në atë që unë e quaj shtëpinë time në ekran. Këtu jam ndjerë me të vërtetë si në shtëpi”, u shpreh Fjodora.
Ajo nuk e fshehu emocionin teksa kujtoi largimin e saj të mëparshëm nga Vizion Plus, duke treguar se nuk ishte një ndarje që e kishte dëshiruar.
“Kur kam ikur nga Vizioni, kam ikur duke qarë. Nuk doja të ikja, por ashtu ishin rrethanat atëherë”, rrëfeu moderatorja.
Për Fjodorën, ajo që e ka bërë gjithmonë të veçantë këtë televizion ka qenë fryma njerëzore dhe profesionale e stafit.
“Ka pasur një frymë të jashtëzakonshme qytetarie. Fryma e bashkëpunimit të ekipit dhe qytetaria ishin ato që karakterizonin Vizionin”, tha ajo.
“Takohemi n’Vizion”, emisioni i ri i Fjodorës
Rikthimi i Fjodorës vjen me një program të ri, për të cilin moderatorja zbuloi për herë të parë edhe emrin.
“Takohemi n’Vizion” do të jetë emisioni që do të shoqërojë shikuesit çdo pasdite, nga e hëna në të shtunë, nga ora 16:30 deri në 18:00.
Por këtë herë, emisioni premton një qasje disi ndryshe. Gjithçka do të nisë nga një ngjarje e ditës, një zhvillim apo një temë që do të ngacmojë publikun dhe do të shërbejë si pikënisje për diskutimin në studio.
“Po e nis duke zbuluar për herë të parë emrin e emisionit. Emri i këtij emisioni do të jetë ‘Takohemi në Vizion’. Këtë herë gjithçka do të nisë me një ngjarje nga dita. Diçka do të na ngacmojë, do të sjellë dhe do të vijë në ekran për ne në lidhje me atë që do të jetë tema e ditës. Kjo për mua është një risi”, tregoi Fjodora.
Në program nuk do të mungojnë të ftuarit, personazhet e njohur, historitë njerëzore dhe bisedat më intime.
“Përtej kësaj, ne do të jemi ata që jemi, me të ftuar, personazhe, ngjarje, biseda intime. Do të kemi pak nga të gjitha”, tha ajo.
Programi do të jetë në ekran nga e hëna deri të shtunën, ndërsa dita e fundit e javës do të ketë një tjetër atmosferë.
“Do të jetë një sfidë e re, për t’u dhënë njerëzve mundësinë të kenë diçka edhe të shtunave. Ne do të synojmë që të shtunat të jenë pak më ndryshe, pra do të jetë një e shtunë argëtuese”, u shpreh moderatorja.
Pas më shumë se dy dekadash në televizion, nga “Chic” e deri te dhjetëra programe dhe intervista me personazhe të njohura, Fjodora Fjora rikthehet në një ekran që e konsideron të sajin.
Dhe për të, ky rikthim nuk është thjesht një projekt i ri televiziv, por një kthim në një vend me të cilin ka një lidhje të veçantë.
“Është shumë e rëndësishme për mua të kthehem në këtë ekran”, përfundoi Fjodora Fjora.




