Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Aktualitet

Afati i lejes i mbaroi mëngjesin e sotëm, Alket Rizai ende në arrati, grekët vijojnë intensivisht kërkimet, prangosen dy persona

Shkruar nga Newsbomb
Afati i lejes i mbaroi mëngjesin e sotëm, Alket Rizai ende në
Alket Rizai

Që prej ditës së djeshme, autoritetet greke nuk kanë arritur të bien në gjurmët e shqiptarit të dënuar në burgun e Domokos, Alket Rizai, i cili thuhet se është përfshirë në një konflikt me armë zjarri në një lokal, duke lënë pas dy persona të plagosur.

Sipas mediave greke, mësohet se Rizai kishte marrë leje dhe ai duhej të ishte rikthyer në burgun e Domokos në orën 8 të mëngjesit të sotëm, por ai nuk u paraqit kurrë, duke ngritur “në këmbë” autoritetet greke.

Ajo që bie më së shumti në sy është fakti se Rizai mësohet se brenda pesë viteve të fundit prapa hekurave, kishte marrë leje 16 herë në total dhe thuhet se është rikthyer gjithmonë brenda afatit duke mos shkaktuar probleme apo dyshime për autoritetet vendase.

Mirëpo leja e fundit nuk rezultoi aq e “suksesshme” sa të tjerat. Pas dyshimeve se ai së bashku me grupin e tij janë përfshirë në një incident të përgjakshëm në një lokal, Rizai ka humbur gjurmët në mënyrë të mistershme.

Paraprakisht raportohet se shqiptari i dënuar dyshohet të ketë shkuar në makinën e tij me anëtarët e grupit të tij, ku ka ndezur muzikën me zë të lartë. Për shkak të zhurmës, pronari i biznesit ka dalë dhe i ka bërë vërejtje, e më tej debati mes tyre agravoi deri në përdorimin e armës.  

Sipas të njëjtave burime, Alket Rizai dyshohet se nxori një armë dhe thuhet se qëlloi, ndoshta në ajër. Po ashtu bëhet me dije se në konflikt është përfshirë një shtetas afgan, që thuhet se ishte i punësuar si roje plazhi,  i cili raportohet të ketë qëlluar në drejtim të Rizait. Përplasja mes tyre ka lënë pas dy të plagosur, një grek 20-vjeçar dhe një pakistanez 41-vjeçar, rojen e plazhit.

Hetimi policor është përqendruar në përcaktimin nëse të dy burrat kanë qëlluar, sa të shtëna janë qëlluar dhe drejtimin e të shtënave. Sakaq, deri më tani raportohet se në vendngjarje u gjetën gëzhoja dhe gjurmë gjaku, të cilat po shqyrtohen nga laboratorët mjeko-ligjorë.

Në lidhje me këtë ngjarje raportohet se është vënë në pranga pronari 41-vjeçar i barit në plazh i cili akuzohet për dëshmi të rreme, strehim të një krimineli, pengim të drejtësisë dhe nxitje për posedim dhe përdorim të paligjshëm të armës. Bashkë me të u prangos edhe gruaja e tij 39-vjeçare, me akuzën e dëshmisë së rreme dhe nxitje për posedim dhe përdorim të paligjshëm të armës.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese