Ndryshimet e shpeshta në radhët e qeverisë nuk janë lëvizje strategjike, por një tregues i pastër se krimi i organizuar po dikton emërimet në nivelet më të larta të shtetit.
Kështu u shpreh gazetarja Alba Kepi, e cila e ftuar në ‘Kafe Shqeto’ në Syri Tv, tha se 11 ministra të brendshëm të ndërruar që nga 2013, janë një tregues i qartë se si rotacionet e vazhdueshme po përdoren si mjet për të lënë përgjegjësitë pa zot dhe për të instaluar kukulla ekzekutive që bëjnë njërin sy qorr përballë krimit.
Sipas saj, ndërrimi i vazhdueshëm i titullarëve ngre një pikëpyetje thelbësore dhe tronditëse: a po e lufton shteti mafian, apo është mafia ajo që po zgjedh se kush e drejton Ministrinë e Brendshme?
Kepi theksoi se lëvizja më e rrezikshme që po kalon pa u vënë re mbetet centralizimi i pushtetit dhe bashkimi de facto i funksioneve të pushtetit vendor me atë policor.
Vendosja e personave pa asnjë përvojë në krye të këtij dikasteri i hap rrugë drejtpërdrejt korrupsionit të thellë, u shpreh gazetarja, duke shtuar se përqendrimi i pushtetit në duart e një numri shumë të vogël individësh, bandat dhe klanet mafioze e kanë shumë herë më të lehtë të gjejnë personin e duhur për ta korruptuar e për të marrë në dorë tendera, prona apo investime strategjike në të gjithë vendin nga jugu në veri.
Janë 11 ministra që prej 2013-ës, pra ministrat e brendshëm që prej 2013-ës deri sot, janë ndryshuar në qeverinë Rama. Kemi Xhafaj i cili është i rikthyer dy herë, po mendoj se Balla është ministri i brendshëm me rekordin historik të jetëgjatësisë më të shkurtër, gjashtë muaj e pesë ditë, nga marsi deri në shtator. Edhe pse në bilancin që ai ka përcjellë pak javë më parë, duke thënë se gjatë gjashtë muajve të qeverisjes së tij janë kryer vetëm 18 vrasje, ju e renditët mjaft mirë, ka qenë një bilanc mjaft negativ jo vetëm për mënyrën se si policia trajton dhe trajtoi protestën popullore që prej marsit mbushi rrugët e Tiranës, por edhe për ngjarje mjaft të rënda. Kujtojmë vrasjen e efektivit të policisë, kujtojmë vrasjen e një turisti, kujtojmë, ai thotë 18 vrasje dhe të tjera po sa e sa tentativa vrasje. Pra bilancet janë absolutisht negative.
Tritoli është rikthyer dhe sa aksione nuk dimë ku kapet tritol dhe nuk publikohen komunikatat e policisë. Pra unë shoh dy gjëra në këtë ngjarje. E para, nuk merrem me punën e asnjërit e as tjetrit, pasi jam shumë dakord me të ftuarin, ata janë kukulla të këtij ekzekutivi dhe të këtij ekzekutivi. Por merrem me faktin se një ministri e brendshme, e cila ndryshon kaq shumë drejtues, është një fakt konkret për të tërhequr vëmendjen e për të kuptuar se shteti ka kapur krimin apo krimi ka kapur shtetin? Shteti do të luftojë mafian apo mafia orienton se kush do drejtojë ministrinë e brendshme? Është një nga ministritë më kulmore për zbatimin e ligjit, sigurinë, rendin publik. Këto ndryshime krijojnë jo vetëm mungesë llogaridhënieje, sjellin mungesë stabiliteti.
Unë shkoj më tej dhe nuk mendoj se janë të tjerë që orientojnë këto ndryshime të kësaj ministrie. Pra është ajo që dyshojmë dhe themi gjithmonë që këtu janë bandat, klanet, grupet kriminale, të cilët për interesat e tyre kërkojnë apo imponojnë role kyçe në drejtimin e shtetit. Por ka një problem që nuk është kapur nga media për atë çka ka ndodhur. Në atë zyrt të kryeministrisë, Edi Rama deklaroi se po bën një lëvizje brenda skuadre, por shtoi një fakt mjaft të rëndësishëm: ai tha që do të bashkojë punët e pushtetit vendor me ministrinë e brendshme. Dhe kjo duket qartë pasi ka vënë një person pa asnjë eksperiencë në drejtimin e policisë, në strukturat e policisë, pa asnjë eksperiencë në këtë këndvështrim, por ka vënë një person i cili ka qenë kryetar bashkie, i cili ka kryer funksione dytësore dhe e vë në krye të një ministrie kaq kyçe.
Këtu ka një rrezik të jashtëzakonshëm në atë që ne e kemi analizuar gjatë gjithë... edhe bashkë kemi folur, kemi një centralizim të politikës, të të gjithkaje. Pra, duke sjellë dhe duke vënë pushtetin vendor, duke e bashkuar me ministrinë e brendshme, ai bën që gjithçka të jetë në duart e një personi. Dhe kjo favorizon mjaft klanet, grupet kriminale, mafian, klanet mafioze, krimin shqiptar. Pasi nëse deri dje ne dimë që korrupsioni është një nga gangrenat më të mëdha që ne kemi në këto momente dhe nëse ti përqendron të gjithë pushtetin, gjithçka në duart e një personi apo në duart e një grupi individësh, padyshim bandat, klanet, ata që kontrollojnë territore të caktuara të Shqipërisë nga jugu në veri, e kanë mjaft lehtë të gjejnë personin e duhur për ta korruptuar për aferat e tyre, për tenderat, për territorin, për të bërë partneritete strategjike, për të bërë investime strategjike, qoftë për të shitur apo për të blerë territore, apo dhe sa i takon objekteve apo kompanive ndërkombëtare.
Pra, unë shoh që ai po jep gjithçka, e ka orientuar gjithçka në duart e idesë se pushteti vendor do të bashkërendohet me pushtetin policor apo me strukturën e rendit, por kjo është një zgjedhje totalisht e centralizimit politik. Dhe kjo është risku më i madh që shton gjithçka që dhe ju thatë në studio. Pra, aty shtohet abuzimi, aty shtohet korrupsioni, dhe kjo është një gjë që nuk është trajtuar. Dhe mungesa e llogaridhënies për një lëvizje të tillë që është në nivel platforme, thelbësor, është e paimagjinueshme. Pra, kur mungon llogaridhënia, kur mungon transparenca, unë mendoj se dhe parlamenti duhet të ngrejë këtu një alarm të jashtëzakonshëm. Pasi kjo mungesë transparence, mungesë llogaridhënie është gjithmonë, çon ujë gjithmonë aty ku e nisëm. Pra, që shteti, krimi, mafia, bandat kapin shtetin dhe orientojnë çdo vendim apo çdo zgjedhje të tillë në nivele të larta institucionale.
© SYRI.net