Aktualitet Rajoni

Alket Rizai shpallet në kërkim në Greqi/Nuk u kthye në burg pas përfundimit të lejes!

Në Greqi, policia shpalli në kërkim Alket Rizain. Sipas autoriteve greke, Rizai duhet të ishte paraqitur në burgun Dhomokos mëngjesin e sotëm në orën 08:00, pasi i mbaronte leja e posaçme.

Por, pas incidentit  të ndodhur dje e ku rezulton se u përfshi në një sherr, nuk u paraqit.

Autoritetet raportojnë se identifikimi i tij u bë prej kamerave të sigurisë. Tashmë është në kërkim dhe policia greke ka shpërndarë alert për gjetjen e Rizait në gjithë rajonet policore të vendit si dhe në pikat hyrëse dhe dalëse të Greqisë me vendet e tjera.

Ish-bashkëpunëtor i të shumëkërkuarit grek Vasilis Paleokostas dhe i njohur për arratisjen dy herë me helikopter nga burgu, 48 vjeçari rezulton të jetë një prej personave të përfshirë në incidentin me të shtëna me armë zjarri në një beach plazhi në Anavyssos të Athinës.

Nga hetimet paraprake dyshohet se gjithçka nisi pasi shumica e klientëve ishin larguar nga lokali dhe pronari kishte ulur muzikën. Në atë moment, Rizai, i cili ndodhej aty së bashku me dy persona të tjerë, doli në parking dhe vendosi muzikë me zë të lartë në automjetin e tij.

Pronari i biznesit doli jashtë dhe i kërkoi ta ulte zërin, pasi kishte frikë se zhurma mund të shkaktonte ndërhyrjen e policisë. Situata më pas u përshkallëzua në një konflikt, ku u përfshinë edhe persona të tjerë që dolën nga lokali.

Gjatë përplasjes, Rizai dyshohet se nxori një armë dhe qëlloi në ajër. Më pas, edhe një shtetas afgan, i cili kishte dalë nga lokali dhe dyshohet se punonte si pjesë e sigurisë së biznesit, hapi zjarr.

Nga të shtënat, plumbat dyshohet se kanë bërë rikoshet dhe kanë plagosur dy punonjësit e lokalit.