Partia Demokratike e Kosovës e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së konstituimit të Kuvendit të Kosovës, përfshirë zgjedhjen e kryetares dhe nënkryetarëve të Kuvendit.
Pas dorëzimit të kërkesës, përfaqësuesit e PDK-së, Arian Tahiri, Përparim Gruda dhe Faton Fetahu, thanë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese duhet të merret sa më shpejt, me arsyetimin se vendimet e institucioneve të dala nga një Kuvend që, sipas tyre, nuk është konstituuar në përputhje me Kushtetutën, mund të prodhojnë pasoja juridike dhe institucionale.
Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, tha se kërkesa përfshin vlerësimin e kushtetutshmërisë së konstatimit për konstituimin e Kuvendit, zgjedhjen e kryetares, mënyrën e zgjedhjes së nënkryetarëve dhe votimin e tyre.
“Ne besojmë dhe në vazhdimësi kemi folur me respekt dhe me besim për punën, profesionalizmin e Gjykatës Kushtetuese, andaj edhe sot flasim me vlerësim e besim dhe konsiderojmë që është imediate, shumë e rëndësishme që të merret vendimi sa më parë në mënyrë që të mos prodhohen dëme e situata me të rënda në kuptimin juridik, institucional”, ka theksuar Tahiri.
Ai pretendoi se edhe Qeveria e zgjedhur nga Kuvendi mund të marrë vendime të jashtëligjshme, nëse konstituimi i Kuvendit konstatohet se ka qenë në kundërshtim me Kushtetutën.
“Për të gjitha këto ne do t'i drejtohemi Gjykatës për secilin vendim të jashtëligjshëm në mënyrë që vendi të kthehet në binarë kushtetues dhe të respektohen institucionet, të respektohet akti më i lartë juridik i vendit – Kushtetuta e Republikës së Kosovës”, u shpreh ai.
Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, tha se sipas Kushtetutës dhe aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi duhej të konstituohej jo më larg se më 8 gusht.
Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje kishte përcaktuar më pas 6 shtatorin si afat politik për përfundimin e procesit, por as ky afat, sipas Grudës, nuk u respektua.
“Kur ajo shkeli një afat kushtetues dhe një afat të vendosur vetë politikisht, ne ishim në pozitë të vështirë. Megjithatë vendosëm të shkojmë në dy seanca: me 9 shtator dhe me 11 shtator. Por as kjo nuk u respektua. Kur ne pamë që përveç shkeljes së afateve, institucionet po tallen, qytetarët e Kosovës po tallen me seanca pa kuptim, me arsyetime të pakuptimta, tërësisht me absurditet, ne vendosëm sot t'i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese, anise kjo gjykatë ka një aktgjykim për këtë rast dhe ne kemi pasur hezitimet tona deri sot për të ardhur, por meqë situata ka dalë komplet jashtë kontrollit, pra pushteti është totalisht jashtë Kushtetutës, neve na ka mbetur rrugë tjetër përveçse t'i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese”, ka theksuar Gruda.
Sipas tij në drejtësi ka një parim që thotë se askush nuk mund të përfitojë nga shkelja e vet.
“Lëvizja Vetëvendosje nuk mund të shkelë të gjitha afatet dhe në fund të përfitojë nga këto lloj shkeljesh. Nuk mund të krijohet një precedent ku një parti politike i zëvendëson afatet e përcaktuara në Kushtetutë me afatet e veta politike. Asnjë shumicë, sa do e madhe që të jetë, nuk mund të shkelë Kushtetutën”, ka shtuar ai.
Sipas tij Kushtetuta ekziston për ta mbajtur të kornizuar pushtetin, teksa ka paralajmëruar edhe një lëndë tjetër në Kushtetuese për nesër, për formimin e qeverisë së re.
“Nëse Kuvendi i Kosovës është konstituuar me shkelje kushtetuese, vendimet që dalin nga ai kanë probleme po ashtu kushtetuese. Prandaj ne sot përveç konstituimit të Kuvendit, që e kontestuam sot, formës së konstituimit të afateve, nesër do të dorëzojmë një kërkesë tjetër ku do ta kontestojmë zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Nuk mund të vazhdojmë të lejojmë që Kuvendi të zgjedhë organet qendrore të shtetit duke prodhuar dilema më të mëdha kushtetuese dhe me legjitimitetin e vet”, ka nënvizuar ai.
Sipas tij në një demokraci kushtetuese legjitimiteti nuk buron vetëm nga votat, por nga respektimi i Kushtetutës së shtetit.
Ndërkaq, avokati Faton Fetahu, tha se kërkesa e dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese ngre tri çështje kryesore.
“E para lidhet me zgjedhjen e kryetares së Kuvendit, e dyta me procedurën e ndryshimit të mënyrës së votimit për nënkryetarët, ndërsa e treta me konstatimin se Kuvendi është konstituuar pa një anëtar të Kryesisë nga radhët e grupit të dytë më të madh parlamentar”, ka theksuar ai.
Fetahu tha se PDK-ja konsideron se Kuvendi nuk është konstituuar në përputhje me Kushtetutën, Rregulloren e Kuvendit dhe aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese.
Ai argumentoi se mosparaqitja fizike e deputetëve të PDK-së në sallë gjatë zgjedhjes së anëtarëve të Kryesisë nuk duhet të interpretohet si heqje dorë nga e drejta për të propozuar kandidatin e tyre.
“Grupi parlamentar i PDK-së, në pikëpamje juridike, ka paraqitur në mënyrë të vazhdueshme kërkesa në Kuvendin e Kosovës që seanca të mbahet dhe këtë e ka bërë gjatë gjithë periudhës sa nuk ka pasur asnjë tentativë për mbajtjen e seancës konstituive”, tha Fetahu.
Ai shtoi se PDK-ja ka kërkuar që çështja të shqyrtohet në tërësinë e zhvillimeve dhe jo vetëm përmes pjesëmarrjes fizike të deputetëve në një seancë.
Në fund, Fetahu tha se PDK-ja pret që Gjykata Kushtetuese ta shpallë kërkesën të pranueshme dhe të vendosë sa më shpejt masë të përkohshme, me qëllim, sipas tij, të evitimit të pasojave të pariparueshme.
“Kështu që, ne besojmë që ky rast do të konfirmohet nga Gjykata Kushtetuese me shkelje kushtetuese. Kjo kërkesë do të shpallet e pranueshme dhe mbi të gjitha është e nevojshme dhe e domosdoshme për shkak të evitimit të dëmeve të pariparueshme dhe për shkak të respektimit të interesit publik të vendoset sa më parë masa e përkohshme”, tha Fetahu./ RTK.
© SYRI.net
Kurti me premtime të mëdha: 1 mld euro për prodhimin, paga mbi 1 mijë euro
Kurti thirrje liderëve politikë: Ta zgjidhim çështjen e presidentit
Sot mbahet mbledhja e parë e Qeverisë së re