Alarmi i rremë për bombë te “Emin Duraku”, arrestohet Mandi Jatagani! Ishte shoqëruar më herët për dhunë në protesta

14 Shtator 2026, 10:57Kronika TEMA
Alarmi i rremë për bombë te “Emin Duraku”, arrestohet

Një telefonatë për vendosjen e një bombe në shkollën “Emin Duraku” ka alarmuar policinë mëngjesin e kësaj të hëne.

Telefonata është bërë rreth orës 06:30, duke pretenduar se në ambientet e shkollës ishte vendosur një bombë. Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur forcat e Policisë, së bashku me strukturat antiterror, të cilat kanë nisur kontrollet në ambientet e institucionit arsimor.

Pas verifikimeve, rezultoi se bëhej fjalë për një alarm të rremë dhe nuk u konstatua asnjë lëndë apo pajisje shpërthyese.

 Në vijim të hetimeve, policia ka arrestuar Mandi Jataganin, i cili dyshohet se qëndron pas telefonatës që shkaktoi alarmimin.

Gjithashtu raportohet se Jatagani është një person i njohur për Policinë  Shtetit, pasi është shoqëruar disa herë për dhunë në protesta.

Autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur rrethanat dhe motivet e ngjarjes.

Njoftimi i Policisë.

 

Specialistët e Njësisë Antiterror arrestuan për veprat penale “Njoftimi i rremë në organet e rendit” dhe “Përhapja e informatave të rreme që ngjallin panik”, shtetasin M. J., 47 vjeç.

47-vjeçari dyshohet se, rreth orës 06:30 të datës 14.09.2026, ka telefonuar Policinë e Tiranës, duke pretenduar për terrorizëm dhe lëndë të shkatërrimit në masë, në një shkollë 9-vjeçare.

Menjëherë pas telefonatës, në shkollën e sinjalizuar, shërbimet e Policisë, Njësia Antieksploziv dhe Njësia Antiterror kanë kryer veprimet e nevojshme verifikuese, nga të cilat rezultoi se informacioni ishte i rremë dhe se nuk kishte lëndë të tilla të rrezikshme.

Nga verifikimet e mëtejshme rezultoi se shtetasi M. J. e ka publikuar këtë informacion të rremë edhe në rrjetet sociale.

Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Lini një Përgjigje