Aktualitet

Alarmi fals për bombë te “Edit Durham”, Policia e Tiranës dha detaje!

Policia e Shtetit njoftoi sot se specialistët e Njësisë Antiterror arrestuan për veprat penale “Njoftimi i rremë në organet e rendit” dhe “Përhapja e informatave të rreme që ngjallin panik”, shtetasin M.J., 47 vjeç.

Sipas policisë, 47-vjeçari dyshohet se, rreth orës 06:30 të datës 14.09.2026, ka telefonuar Policinë e Tiranës, duke pretenduar për terrorizëm dhe lëndë të shkatërrimit në masë, në një shkollë 9-vjeçare.

Menjëherë pas telefonatës, në shkollën e sinjalizuar, shërbimet e Policisë, Njësia Antieksploziv dhe Njësia Antiterror kanë kryer veprimet e nevojshme verifikuese, nga të cilat rezultoi se informacioni ishte i rremë dhe se nuk kishte lëndë të tilla të rrezikshme.

Policia njoftoi më tej se, nga verifikimet e mëtejshme rezultoi se shtetasi M.J. e ka publikuar këtë informacion të rremë edhe në rrjetet sociale.

Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.