Mand Jatagani rezulton se është personi që ka telefonuar mëngjesin e sotëm shërbimet e Policisë së Tiranës, për terrorizëm dhe lënë të shkatërrimit në masë në shkollën "Emin Duraku". Alarmi vuri në lëvizje edhe Drejtorinë e Antiterrorit.
"47-vjeçari dyshohet se, rreth orës 06:30 të datës 14.09.2026, ka telefonuar Policinë e Tiranës, duke pretenduar për terrorizëm dhe lëndë të shkatërrimit në masë, në një shkollë 9-vjeçare.
Menjëherë pas telefonatës, në shkollën e sinjalizuar, shërbimet e Policisë, Njësia Antieksploziv dhe Njësia Antiterror kanë kryer veprimet e nevojshme verifikuese, nga të cilat rezultoi se informacioni ishte i rremë dhe se nuk kishte lëndë të tilla të rrezikshme", njofton Policia.
Ndodhur në këto kushte, specialistët e Njësisë Antiterror arrestuan për veprat penale “Njoftimi i rremë në organet e rendit” dhe “Përhapja e informatave të rreme që ngjallin panik”, shtetasin Mand Jatagani, 47 vjeç.
Nga verifikimet e mëtejshme rezultoi se shtetasi Mandi Jatagani e ka publikuar këtë informacion të rremë edhe në rrjetet sociale, ndaj menjëherë pas arrestimit, materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Thirrja mbrëmë në protestë dhe telefonata sot te 112-ta
Siç rezulton nga publikimet në profilin e tij publik në platformën "META" (Facebook), Mandi Jatagani ka qenë dje në mbrëmje në sheshin e protestës përpara Kryeministrisë dhe e ka paralajmëruar zhvillimin e sotëm.
"A e dini që shkollat tona ... janë të veshura me polisterol të djegshëm?! Për një fëmijë që nuk do të hyjë në provim, do të mjaftonte një çakmak për të marrë në qafë 1 mijë fëmijë. Është një gjë e trishtueshme nëse prindërit nesër çojnë fëmijët në shkollë, drejt vdekjes", tha mbrëmjen e djeshme Mand Jatagani nga podiumi i protestës.
Dhe ashtu siç ka paralajmëruar dje, sot në mëngjes në orën 06:30, ai ka shkuar me telefon përpara shkollës "Emin Duraku" në zonën e stadiumit "Selman Stërmasi", duke pretenduar për lëndë të shkatërrimit në masë.
Ai ka telefonuar gjatë transmetimit të drejtpërdrejt edhe Policinë e Shtetit dhe tregon dhe momentin kur aty mbërrin patrulla e parë. Mand Jatagani merr komunikim me ta dhe siç rezulton, më vonë është arrestuar për alarm të rremë nga Antiterrori.
Mand Jatagani: Sapo mora për herë të dytë Policinë e Shtetit, dëgjoj sirena sepse duhet të ishte informacion i sigurt. Nuk mjafton numri i telefonit që i del me emër e mbiemër, po duhet të ishte informacion i sigurt për terrorizëm. Pra nuk duhen indicie. Duhet të insistosh. Po vijnë menjëherë, le të shohim ku janë. Erdhën më në fund.
Mand Jatagani: Përshëndetje, si jeni?
Policia: Mirë!
Mandi Jatagani: Shkollat janë objekt i kategorisë së veçantë numër tre dhe janë të bëra me polesterol të djegshëm. Të lutem, hajde verifiko, thërrit policinë shkencore dhe vëri shiritat.
Tani, hajde të verifikosh. Ky është polesterol i djegshëm. Një fëmijë mund t’i vërë zjarrin, thjesht mos me u fut në provim. Shkollat janë objekt i rëndësisë së veçantë, kategori numër tre e cila parashkruhet terrorizmi dhe këto gjëra. Thërrit policinë shkencore, t’i vërë shiritat shkollës. Është e gjithë shkolla, nuk ka asnjë përgatitje. Nuk po të filmoj ty. (I drejtohet policit) Po filmoj faktin.
Polici: Punon këtu ti?
Mand Jatagani: Jo, unë nuk punoj këtu. Kam fëmijët këtu. Kam sherr në familje sepse nusja nuk do t’i lërë fëmijët pa shkollë. Ndërkohë që fëmijët e mi janë të pasigurt. E gjithë shkolla është e tillë. Thërrit Policinë Shkencore, është e gjithë shkolla, çfarë është me fasadë të ventiluar, janë 65 shkolla në të gjithë Shqipërinë e mesme. Kanë pasur thjesht për t’i riparuar, shikoje si është. Nuk i kanë bërë. Kam tre muaj që e kam denoncuar në prokurori dhe nuk lëviz njeri.
Polici: Ke bërë kallëzim më përpara për këtë ti?
Mand Jatagani: Po, kam bërë kallëzim. Kjo është shkolla ime e dashur “Emin Duraku”. Policia e Shtetit erdhi. Po kërkon ndihmë nga policia shkencore.

