Në Izrael është kthyer në një çështje politike dokumentari “Naza”, me regji të Yuval Abraham-it e Rachel Szor-it, që në Festivalin e Filmit në Venecia u nderua me Çmimin Special të Jurisë.
Dy ministra të qeverisë së Benjamin Netanyah-ut sulmuan publikisht regjisorët që mbledh dëshmitë e 24 personave nga aparati ushtarak izraelit, përfshirë oficerë e ushtarë, lidhur me luftën në Gaza dhe mënyrën se si, sipas dëshmive të tyre, janë kryer vrasje sistematike të civilëve palestinezë.
Ben Gvir: Largohuni nga Izraeli!
Ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben Gvir, ishte i pari që sulmoi autorët e dokumentarit. Ai u bëri thirrje regjisorëve të largohen nga Izraeli, duke pretenduar se “miqtë tuaj, armiqtë tanë të Hamasit në Gaza, do t’ju presin krahëhapur”.
Në një postim në X, ministri ultranacionalist e cilësoi filmin si “antisemit”. Ben Gvir i akuzoi regjisorët se po njollosin ushtarët izraelitë dhe i quajti “turp e çnderim” për popullin izraelit.
Ministri i Kulturës kërkon heqjen e shtetësisë
Reagimi u përshkallëzua më tej kur ministri i Kulturës, Miki Zohar, kërkoi heqjen e shtetësisë izraelite të regjisorëve, duke i akuzuar për “tradhti”.
Zohar deklaroi se do të veprojë menjëherë për të kërkuar revokimin e shtetësisë së tyre, duke argumentuar se regjisorët po dëmtojnë vendin e tyre për të marrë duartrokitjet e kundërshtarëve të Izraelit.
“Naza” duartrokitet për rreth 25 minuta në Venecia
Dokumentari u përfshi në konkurrimin kryesor të Festivalit të Filmit në Venecia në momentet e fundit dhe u shfaq drejt fundit të programit.
Pas premierës, filmi mori një duartrokitje në këmbë që zgjati rreth 25 minuta, ndërsa më pas u shpërblye me Çmimin Special të Jurisë.
Regjisori Yuval Abraham tha gjatë ceremonisë se nuk ishte e lehtë të qëndronte në skenë, duke iu referuar kritikave që filmi kishte marrë në Izrael edhe nga politikanë dhe gazetarë që, sipas tij, nuk e kishin parë dokumentarin.
Filmi është realizuar gjatë një periudhe prej tre vitesh, në kushte të rrepta fshehtësie, ndërsa disa nga xhirimet u kryen gjatë natës në çatitë e Tel Avivit.
“Naza” sjell dëshmi të personave të brendshëm të strukturave ushtarake izraelite dhe paraqet pretendime serioze mbi zhvillimin e luftës në Gaza dhe trajtimin e civilëve palestinezë.