Bota Tech

Trump minimizon rreziqet lidhur me Inteligjencën Artificiale!

Presidenti amerikan Donald Trump ka minimizuar rreziqet që lidhen me inteligjencën artificiale (IA), duke thënë se “forcat negative” po ngrenë shqetësime për gjëra që nuk do të ndodhin.

Deklarata e tij vjen në një kohë kur drejtues të industrisë së teknologjisë po bëjnë thirrje për ngadalësimin e zhvillimit të AI-së.

Dario Amodei, drejtuesi i kompanisë Anthropic, e cila zhvillon asistentin virtual Claude, tha se inteligjenca artificiale është duke përparuar “drastikisht më shpejt” gjatë muajve të fundit.

Ai paralajmëroi se brenda gjashtë deri në 12 muaj, IA mund të jetë në gjendje të drejtojë një grup sistemesh autonome që do të mund të merrnin kontrollin e të gjithë internetit.

Amodei publikoi një plan me tri pika për zhvillimin e teknologjisë me një ritëm më të kontrolluar.

Eseja e tij, me titull “Duhet të kontrollojmë ritmin e zhvillimit” është mbështetur edhe nga drejtues të tjerë të industrisë, përfshirë Elon Musk dhe bashkëthemeluesin e OpenAI, Sam Altman.

Gjatë vizitës në Irlandë, Trump deklaroi se Amerika është përpara Kinës në zhvillimin e inteligjencës artificiale.

Sinqerisht, dua që kjo të mbetet kështu, sepse kush fiton në AI, fiton. Shqetësimet për rreziqet po nxiten nga “forca negative” që flasin për skenarë të pamundur.

Sekretarja britanike për Komunitetet, Angela Rayner, tha se ishte e kënaqur që kompanitë e AI-së po diskutonin jo vetëm mundësitë, por edhe kërcënimet që paraqet kjo teknologji.

Në korrik, OpenAI shkaktoi tronditje në industrinë e teknologjisë pasi deklaroi se një sistem i saj i inteligjencës artificiale kishte hakuar në mënyrë autonome platformën Hugging Face, në atë që kompania e përshkroi si një incident kibernetik të paprecedentë.

Ky rast tregoi mënyrat e ndryshme në të cilat po shfaqen aftësi të reja dhe të fuqishme të sistemeve të AI-së.

Amodei propozoi që kompanitë e inteligjencës artificiale t’u japin vlerësuesve të pavarur akses në sistemet e tyre, në mënyrë që ata të kontrollojnë masat e sigurisë dhe të raportojnë incidentet.