
Bashkimi Evropian ka kritikuar ndryshimet e propozuara në Ligjin për Shtetësinë të Maqedonisë së Veriut, duke thënë se ato nuk shkojnë aq larg sa duhet për të hequr skemën e “pasaportave të arta”, për të cilën kritikët thonë se abuzohet gjerësisht.
Në qershor, qeveria në Shkup propozoi ndryshime që, sipas saj, do të shtrëngonin rregullat për shtetësinë dhe do t’u përgjigjeshin shqetësimeve të BE-së lidhur me skemën e saj të “pasaportave të arta”.
Propozimi heq pragun prej 400,000 eurosh investim në këmbim të shtetësisë, si edhe kërkesën që personi të punësojë 10 njerëz.
Megjithatë, autoritetet do të mund t’u japin ende shtetësinë individëve që konsiderohen me interes të veçantë për Maqedoninë e Veriut, qoftë për arsye ekonomike, kulturore, sportive apo të tjera, siç bëjnë edhe shumë vende të tjera në mbarë botën, përfshirë vende anëtare të BE-së.
Kritikët thonë se, ndërsa ndryshimet mund ta heqin skemën e “pasaportave të arta” në letër, në praktikë ato lënë të paprekur një procedurë për “interes të veçantë”, e cila vitet e fundit ka çuar në disa vendime shumë të debatueshme për dhënien e shtetësisë.
Edhe vetë BE-ja tha se ndryshimet e propozuara nuk janë të mjaftueshme.
“Heqja e pragut prej 400,000 eurosh, ndërkohë që ruhet mundësia e dhënies së shtetësisë për arsye të interesit të veçantë ekonomik, nuk do t’i përgjigjej rekomandimit të Komisionit”, tha Delegacioni i BE-së në Shkup në një deklaratë për BIRN.
“Përkundrazi, heqja e pragut mund ta zgjerojë skemën dhe ta bëjë dhënien e shtetësisë edhe më të varur nga diskrecioni i autoriteteve.”
Por Ministria e Brendshme, e cila hartoi ndryshimet, tha për BIRN se ato janë përgatitur pikërisht për t’iu përgjigjur shqetësimeve të BE-së. Ministria këmbënguli se problemi kryesor i BE-së nuk është praktika e dhënies së shtetësisë mbi bazën e “interesit të veçantë”, por vetëm pragu i shumës që duhet investuar, i cili tani po ndryshohet.
Anëtare e ardhshme e BE-së?

Vitet e fundit, shtetet anëtare të BE-së si Malta, Qiproja dhe Bullgaria kanë hequr skemat e “pasaportave të arta”, të cilat lejonin dhënien e shtetësisë individëve në këmbim të një investimi financiar.
Eurodeputetët e kanë cilësuar këtë praktikë “të papranueshme nga pikëpamja etike, ligjore dhe ekonomike” dhe kanë paralajmëruar për rreziqet e sigurisë për zonën Shengen të Evropës. Organizata kundër korrupsionit Transparency International thotë se skema të tilla “nuk i shërbejnë investimeve apo migrimit të mirëfilltë, por interesave korruptive”.
Skema ka sjellë raste si ai i Shawn Andre Scott, një investitor në industrinë e kazinove, i cili në vitin 2019 investoi 405,000 euro – vetëm pak mbi pragun e përcaktuar – për hapjen e një salloni flokësh në Shkup dhe punësoi 13 persona.
Si rrjedhojë, Scott, shtetas amerikan dhe banor i ishullit Saipan në Paqësor, mori shtetësinë maqedonase në vitin 2021. Rreth 18 muaj më vonë, ai tërhoqi 80,000 euro nga investimi i tij dhe salloni i flokëve ndërroi pronar.
Megjithatë, Scott e mbajti pasaportën e re. Nëse Maqedonia e Veriut një ditë anëtarësohet në BE, ai do të bëhet automatikisht shtetas i Bashkimit Evropian.
Një raport i publikuar nga Komisioni Evropian në dhjetor 2025 mbi përputhshmërinë e vendeve me kërkesat e BE-së për udhëtimin pa viza përsëriti se skemat e dhënies së shtetësisë në këmbim të investimit në vendet që gëzojnë udhëtim pa viza paraqesin rreziqe të qenësishme për sigurinë, pasi mund t’u mundësojnë shtetasve që përndryshe do të kishin nevojë për vizë të anashkalojnë kontrollet standarde të sigurisë për hyrjen në zonën Shengen.
Sa i përket posaçërisht Maqedonisë së Veriut, Komisioni vuri në dukje se numri i shtetësive të dhëna në bazë të kësaj dispozite ka mbetur shumë i kufizuar, por tha se rekomandimi i tij për Maqedoninë e Veriut mbetet i qartë: vendi duhet të “heqë skemën dhe të shfuqizojë bazën e saj ligjore”. Shkupi duhet gjithashtu të japë informacion mbi aplikimet e paraqitura tashmë në bazë të dispozitës për interes të veçantë ekonomik dhe të sigurojë kontrolle të rrepta të së kaluarës për të gjitha aplikimet e tilla, shtoi Komisioni.
Maqedonia e Veriut e prezantoi skemën aktuale të dhënies së shtetësisë në këmbim të investimit me Ligjin për Shtetësinë të vitit 2012. Megjithatë, sipas Komisionit Evropian, njerëzit kishin marrë shtetësi mbi bazën e interesave të tyre ekonomike në vend edhe përpara kësaj. Nga viti 2005 – viti kur Maqedonia e Veriut u bë vend kandidat për anëtarësim në BE – deri në vitin 2023, gjithsej 121 persona e morën shtetësinë në këtë mënyrë, ndërsa 40 aplikantë u refuzuan, sipas Komisionit Evropian.
Vendime të diskutueshme për shtetësinë
Ndërsa ndryshimet e propozuara heqin nivelin e kërkuar të investimit, “interesi i veçantë” mbetet një rrugë për marrjen e shtetësisë.
Në Maqedoninë e Veriut, kushdo që aplikon në këtë mënyrë i nënshtrohet verifikimeve nga ministria përkatëse, qoftë Ministria e Ekonomisë ose e Financave, Ministria e Kulturës apo ajo e Sportit.
Sipas ndryshimeve të propozuara, këto verifikime do të vazhdojnë.
“Vlerësimi nëse një aplikant i caktuar përfaqëson një interes të veçantë për shtetin do të kryhet individualisht nga autoritetet përkatëse shtetërore, të cilave do t’u jepet një rol specifik dhe i drejtpërdrejtë, në varësi të institucionit përgjegjës për fushën në fjalë (për shembull, Ministria e Ekonomisë, Ministria e Kulturës, Ministria e Sportit etj.)”, tha ministria për BIRN.
Me këto ndryshime, tha ajo, “sigurohen përzgjedhje më e rreptë, përgjegjshmëri institucionale dhe vlerësim individual i çdo aplikimi”.
Megjithatë, në të kaluarën, në thelb i njëjti sistem verifikimesh ka çuar në disa vendime të diskutueshme për dhënien e shtetësisë.
Në vitin 2013, për shembull, qeveria e atëhershme e qendrës së djathtë e kryeministrit Nikola Gruevski u dha shtetësinë Seemanto Roy dhe Sushanto Roy, djemve të biznesmenit indian Subrata Roy, pronarit të Sahara Group, i cili kishte premtuar të investonte në sektorët e turizmit dhe bujqësisë në Maqedoninë e Veriut.
Por ndërsa Subrata Roy po pritej në Maqedoninë e Veriut si një mesia ekonomik, financat e tij po viheshin nën hetim ligjor në Indi. Roy u arrestua në Indi dhe investimi i paralajmëruar në Maqedoninë e Veriut nuk u realizua.
Në vitin 2022, BIRN zbuloi se shtetësia i ishte dhënë sportistit ukrainas, Oleksandr Onyshchenko, i cili kishte aplikuar mbi bazën e arritjeve të tij sportive. Problemi ishte se ai ndodhej gjithashtu në listën e zezë të SHBA-së, nën akuzën për ndërhyrje në zgjedhjet amerikane, si dhe ishte objekt i një urdhërarresti ukrainas për korrupsion të dyshuar.
Pas publikimit të raportimit të BIRN, kreu i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare dha dorëheqjen nga posti dhe Onyshchenkos iu hoq shtetësia.






