Seanca e radhës gjyqësore për dosjen “Partizani” është shtyrë zyrtarisht për më 28 shtator.
Shkak i moszhvillimit të seancës gjyqësore sot ka qenë një kërkesë e avokatëve mbrojtës të të pandehurve për ta shtyrë në një datë tjetër, për shkak të mospjesëmarrjes së tyre në kuadër të bojkotit të përgjithshëm që po kryejnë në shenjë proteste ndaj rregullores së re së Gjykatës së Posaçme.
Nën hetim për dosjen “Partizani” është kreu i PD, Sali Berisha, i cili akuzohet nga SPAK se ka ndërmarrë ndryshime ligjore në përfitim të dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi, duke i mundësuar këtij të fundit që të ndërtonte biznesin e një kompanie nga e cila përfitoi 5.4 milionë euro.
Me Berishën e Malltezin të pandehur janë edhe bashkëpunëtorët e tyre, biznesmeni Fatmir Bektashi, i pandehur për “korrupsion aktiv” dhe “pastrim parash”. Akuza e “pastrimit të parave” i është komunikuar edhe ortakut të Malltezit, Xhimi Begeja.












